
ITALI- 4 anëtarë të së njëjtës familje humbën jetën në një masakër të kryer nga një 52-vjeçar në Itali, i cili vrau gruan, dy fëmijët dhe më pas veten e tij, si dhe plagosi 3 persona të tjerë. Djali i mbijetuar i familjes, 14-vjeç, ka treguar momentet e masakrës në familjen e tij.
"Të gjithë në shtëpi po bërtisnin", i tha 14-vjeçari policisë ndërsa u dërgua në spital, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Djali iu nënshtrua një operacioni për të hequr disa copa mbetje të plumbit nga nofulla e tij.
Ka qenë vetë 14-vjeçari që ka hapur derën, teksa karabinierët kanë mbërritur në polici pas masakrës. Për momentin ai nuk mund të takojë askënd përveç personelit shëndetësor. Ai së shpejti do të dëgjohet nga hetuesit, në prani të një kujdestari dhe një psikologu për të mitur.
Fjalët e djalit të mbijetuar mund të ndihmojnë në zbardhjen e arsyeve që çuan në këtë masakër familjare. Pavarësisht tezave të shumta, për krisjen e raportit në çift, askush nuk mund të thotë se çfarë e shtyu 52-vjeçarin që të shuante familjen e tij.
Çfarë ndodhi në Nuoro
Roberto Gleboni, një punonjës i pyjeve, 52-vjeç, vrau gruan e tij, Giusi Massetti, 43-vjeç, vajzën e tij Martina, 25-vjeç dhe djalin e tij Francesco, 10-vjeç, pas një mosmarrëveshjeje që dyshohet se nisi në banesën e tyre. Po ashtu i plagosur ka mbetur dhe djali 14-vjeçar. Gleboni më pas hapi zjarr ndaj një fqinji, dhe më pas plagosi dhe nënën e tij në banesën be kësaj të fundit. Pas masakrës 52-vjeçari i dha fund edhe jetës së tij, ndërkohë që policia ende nuk ka një shkak zyrtar për krimin./ZËRI