
ITALI- Grupet e mafias italiane, arrijnë që të shtrijnë pushtetin e tyre, edhe në institucionet publike të vendit, e madje në spital! Ky ka qenë zbulimi i fundit i bërë nga hetuesit italiane, ku u vërtetua se klani mafioz “Contini Camorra”, një degë e Aleancës Secondigliano, mbajti nën kontroll spitalin "San Giovanni Bosco" në Napoli.
Pas hetimeve, karabinierët italianë në bashkëpunim me prokurorinë, kanë kryer arrestimin e 11 personave (8 masa sigurie arrest në burg dhe 3 të tjera arrest në shtëpi).
Disa konfiskime u kryen edhe ndaj anëtarëve të organizatës kriminale që vepron në Napoli, konkretisht në zonat e San Giovanniello, Borgo San Antonio Abate, Ferrovia, Vasto-Arenaçia, Stadera-Poggioreale dhe Rione Amicizia.
Spitali “San Giovanni Bosco” ishte prej kohësh në qendër të një hetimi tjetër nga Prokuroria e Napolit në vitin 2019, ku klani mafioz ndikoi në menaxhimin funksional të strukturës spitalore që bie në zonën e ndikimit të organizatës kriminale.
Hetuesit gjithashtu arritën të provojnë marrëdhëniet e këtij grupi, me banda të tjera kriminale që operojnë në zonën e Napolit. Ky grup kishte regjistruar në mënyrë fiktive dy kompani të marrjes me qira të makinave, në kuadër të masave për pastrimin e parave. /ZËRI