
IZRAEL- Vrasja e liderit të Hezbollahut, Hassan Nasrallah gjatë bombardimeve në Bejrut u njoftua nga ushtria izraelite mëngjesin e së shtunës. Në një postim në llogarinë e tyre në Twitter, IDF tha se "Hassan Nasrallah nuk do të jetë më në gjendje të terrorizojë botën". Gjithashtu ngjarja është konfirmuar nga Ministria e Jashtme izraelite.

Në një përditësim më të fundit, ushtria izraelite njoftoi se Ali Karchi, komandanti i frontit jugor në Hezbollah, dhe komandantë të tjerë të organizatës libaneze u vranë në goditjet e selisë nëntokësore të Hezbollahut.
"Aeroplanët luftarakë të Forcave Ajrore nën drejtimin e inteligjencës izraelite, sulmuan shtabin kryesor të Hezbollahut, i cili ndodhet nën tokë, nën një ndërtesë në zonë të banuar të Bejrutit. Sulmi ndodhi ndërsa zyrtarët e lartë të Hezbollahut ishin në selinë qendrore dhe ishin të përfshirë në koordinimin e aktiviteteve terroriste kundër qytetarëve të shtetit të Izraelit. Sulmi vrau Hassan Nasrallah, liderin e organizatës terroriste Hezbollah, së bashku me Ali Karchi, komandantin e frontit jugor të Hezbollahut, dhe komandantët e tjerë të Hezbollahut. Nasrallah ishte vendimmarrësi kryesor dhe miratuesi i vetëm i vendimeve. Gjatë 32 viteve të mandatit të terroristit Nasrallah si kreu i Hezbollahut, ai ishte përgjegjës për vrasjen e shumë civilëve dhe ushtarëve izraelitë dhe për planifikimin dhe ekzekutimin e mijëra akteve terroriste kundër shtetit të Izraelit. Nasrallah iu bashkua luftës kundër shtetit të Izraelit më 8 tetor. Që atëherë, Hezbollahu ka vazhduar sulmet e tij kundër qytetarëve të shtetit të Izraelit dhe ka tërhequr shtetin e Libanit e të gjithë rajonin në një përshkallëzim lufte. IDF do të vazhdojë të dënojë këdo që promovon dhe angazhohet në terrorizëm kundër qytetarëve të shtetit tonë”.
Në të njëjtën kohë, në një konferencë të ofruar nga shefi i shtabit të ushtrisë izraelite, Herji Halevi, ai sqaroi se vdekja e Nasrallah nuk është fundi i operacionit.

Sipas Halevit, "ky nuk është fundi i punës tonë", duke shtuar se sulmi që vrau Nasrallah ishte planifikuar për një kohë të gjatë "dhe u ekzekutua në kohën e duhur në një mënyrë shumë të mprehtë". Ai shtoi gjithashtu se IDF-ja "po punon për të përgatitur sulmet e radhës" dhe se ka një "rekord gatishmërie në të gjitha fushat".
Ushtria izraelite njoftoi sot se po vendos tre batalione rezervë për të forcuar mbrojtjen e komandës së saj qendrore, zonat operative të së cilës përfshijnë Bregun Perëndimor të pushtuar./ ZËRI