Bota

Kush është kreu i Hezbollahut, Hassan Nasrallah që ishte objektivi kryesor i Izraelit në sulmet ndaj Libanit?

Pasi filloi karrierën e tij politike në lëvizjen Amal, e themeluar nga kleriku iranian Musa al Sadr, e cila u fokusua kryesisht në komunitetin shiit libanez, ai u transferua në Irak për t'iu përkushtuar studimeve fetare në Najaf kur ishte 16 vjeç.

M.M
Kush është kreu i Hezbollahut, Hassan Nasrallah që ishte
Hassan Nasrallah

LIBAN- Hassan Nasrallah, sekretar i përgjithshëm i Hezbollahut, ka qenë në krye të grupit shiit libanez që nga viti 1992, kur zëvendësoi Abbas Musavi-n pas vrasjes së tij. Partia e tij e quajtur "Partia e Zotit" kaloi nga një grup ushtarak vendas në një parti politike me një numër të madh ndjekësish, si dhe mbajtëse të një arsenali të frikshëm lufte.

Në vitin 2021, vetë Nasrallah deklaroi se kishte 100,000 luftëtarë, një numër i konfirmuar edhe nga analistët. Protagonist i lidhjeve gjithnjë e më të ngushta me Iranin dhe me liderin suprem, Ajatollah Ali Khamenei, lideri 64-vjeçar i Hezbollahut nuk është shfaqur në publik prej vitesh, për të shmangur rrezikun e vrasjes nga Izraeli. Për këtë arsye ai i mban fjalimet e tij nga vende që askush nuk i di dhe lëvizja shiite zakonisht thërret një demonstratë për t'i lejuar mbështetësit t'i shikojnë ato në ekrane të mëdha. Megjithatë, ky nuk ishte rasti në fjalimin që mbajti më 19 shtator, kur foli për herë të parë pas sulmeve dhe shpërthimeve të sinjalizuesve, akt që iu atribua Izraelit.

Izraeli "ka kaluar të gjitha vijat e kuqe", deklaroi Nasrallah, duke akuzuar shtetin hebre se ka shpallur luftë. Nasrallah pranoi atë ditë se sulmi ndaj pajisjeve të komunikimit të përdorura nga anëtarët e tij ishte një "goditje e rëndë" për Hezbollahun, por siguroi se "do të bëhemi më të fortë dhe do të jemi gati të përballemi me më të keqen".

Kush është kreu i Hezbollahut, Hassan Nasrallah që ishte
Hassan Nasrallah

Jeta e Hassa Nasrallah

Botëkuptimi i Nasrallahut ishte padyshim i kushtëzuar nga historia e tij personale. I lindur në Bejrut në vitin 1960 në një familje modeste, iu përkushtua studimit të Islamit që në fëmijërinë e hershme. Pasi filloi karrierën e tij politike në lëvizjen Amal, e themeluar nga kleriku iranian Musa al Sadr, e cila u fokusua kryesisht në komunitetin shiit libanez, ai u transferua në Irak për t'iu përkushtuar studimeve fetare në Najaf kur ishte 16 vjeç. Më pas ai u dëbua nga vendi në vitin 1978.

Udhëheqja e Hezbollahut dhe lufta e vitit 2006 mes Libanit dhe Izraelit

Pas kthimit në Liban, ai iu bashkua Hezbollahut në vitin 1982, grup që lindi pas pushtimit të Izraelit në Liban. Pas vrasjes së Musavit nga Izraeli në vitin 1992, Nasrallah u emërua sekretar i përgjithshëm i Hezbollahut. Në vitin 2006, Hezbollahu u bë e vetmja forcë e armatosur që detyroi Izraelin të tërhiqej nga një vend arab pas një lufte 34-ditore. Që nga ai moment Nasrallah filloi të perceptohej si një hero në botën arabe, duke u bërë një nga pikat e referimit të të ashtuquajturit "Boshti i rezistencës" i mbështetur nga Irani, e cila përfshin Hezbollahun, Hamasin, Xhihadin Islamik, Houthis, milicitë shiite në Irak dhe Sirinë e Bashar Al Asadit.

Kush është kreu i Hezbollahut, Hassan Nasrallah që ishte
Hassan Nasrallah

Pika e kthesës me sulmin e Hamasit më 7 tetor

Me sulmin më 7 tetor 2023  të nisur nga Hamasi në jug të Izraelit, i cili u pasua me shpërthimin e luftës në Gaza, filloi një kapitull tjetër në situatën e tensionuar në kufirin mes Libanit dhe Izraelit. Nasrallah tha se ai nuk ishte në dijeni të planit të sulmit të Hamasit, por e vlerësoi atë si një "akt heroik". Të nesërmen filluan sulmet me raketa kundër Izraelit në shenjë solidariteti me palestinezët.

Jeta private e Nasrallahut

I martuar me pesë fëmijë, Nasrallah mban gjithmonë çallmën e zezë të Sayyed-it, i konsideruar si pasardhës i profetit Muhamed. Në një intervistë të rrallë, ai deklaroi se ka luajtur futboll në rini dhe ende ka idhull Diego Armando Maradonën./ ZËRI

Poll

MOS HUMB