
SHKUP- Të hënën e javës së ardhshme, më datë 22 janar 2024, do të mbahet në Shkup një takim i liderëve të Ballkanit Perëndimor, kushtuar Planit të Rritjes të Komisionit Europian.
Zyra e Kryeministrisë së Kosovës ka njoftuar se kryeministri i Kosovës Albin Kurti do të jetë i pranishëm në këtë takim. Në Shkup do të jenë të ftuar kryeministri Edi Rama, presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, kryetarja e Këshillit të Ministrave të Bosnjë-Hercegovinës, Borjana Kristo dhe Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviç.
Përpos liderëve të rajonit, në takim do të marrë pjesë edhe Gert Jan Kopmann, Drejtor i Përgjithshëm për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit në Komisionin Europian, së bashku me James O’Brien, Ndihmës Sekretari Shtetërorë për Evropë dhe Euroazi të SHBA-ve.
Për të marrë pjesë në atë takim janë ftuar edhe përfaqësues të organizatave rajonale, Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, CEFTA-s dhe Forumit të Investimeve të Odave të Ballkanit Perëndimor, USAID-it, si dhe disa institucioneve financiare ndërkombëtare.
Liderët e Ballkanit Perëndimor janë mbledhur për herë të fundit në dhjetor për Samitin e Bashkimit Europian. Në deklaratën e miratuar në fund të Samitit, u bë thirrje që të gjitha vendet e BP të vendosin sanksione ndaj Rusisë, si përgjigje ndaj luftës ruse në Ukrainë. Në takim do të nënshkruhen protokollet për “Qasje të lirë në tregun e punës në vendet e Ballkanit të Hapur”./ZËRI/