
PRISHTINË- I dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, në një konferencë të mbajtur para zyrave të qeverisë Kosovës, pasi diplomatët dolën nga zyra e kryeministrit, Albin Kurti, deklaroi se Kosova duhet të nisë menjeherë nga puna, për të formuar Asocacionin e Komunave me shumicë serbe.
“Kryeministri Albin Kurti ka përgjegjësi, që të bëjë progres në normalizimin e raporteve me Serbinë, nëse Kosova do që të bëjë progres drejt rrugës europiane. Duhet që të bëhet Asocacioni i Komunave me shumicë serbe, pa vonesa. Pa Asocacionin, Kosova nuk bën progres drejt BE-së. E vlerësojmë gatishmërinë e Kurtit për të vazhduar diskutimet tona sa më shpejt të jetë e mundur. Do të shkojmë në Beograd, ku do të takojmë presidentin Vuçiç”, tha Lajçak.
Lajçak foli edhe për komunikimet që kishin pasur me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe zv kryeministrin, Besnik Bislimi.
“Ne kishim një bisedë substanciale me kryeministrin Kurti dhe zv kryeministrin Bislimi. Ne folëm për faktin sesi duhet të avancohen raportet mes Kosovës dhe Serbisë, për të bërë progres në zbatimin e marrëveshjeve të kaluara. Ne dëgjuam me vëmendje pikëpamjet e kryeministrit Kurti dhe shqetësimet e tij, në lidhje me situatën në veriun e Kosovës”, deklaroi Lajçak.
Po ashtu, Miroslav Lajçak foli edhe për sulmin terrorist të 24 shtatorit. Ai tha se Serbia ka përgjegjësinë, që të dënojë autorët e sulmit të përgjakshëm, ku u vra polici i Kosovës, Afrim Bunjaku.
“Dua të them këtu përpara jush, se sulmi ndaj Policisë së Kosovës përbën një ngjarje të rëndë dhe një incident të paprecedent. Ne shprehim ngushëllimet tona për policin që u vra në Banjskë dhe dënuam ashpër sulmin më 24 shtator”, u shpreh Lajçak.
Ndërsa, më pas ka reaguar edhe Kryeministria e Kosovës, e cila deklaron se ka ardhur një plan në tavolinë, që do të shqyrtohet, duke mos dhënë më shumë detaje. Pesëshja diplomatike po viziton Kosovën, me qëllim ringjalljen e dialogut dhe përmbushjen e detyrimeve të palëve, që rrjedhin nga marrëveshjet e nënshkruara./Zëri.ai/