Bota

Facebook dhe TikTok mund të hetohen, nëse nuk i përgjigjen BE-së

BE është shqetësuar për përhapje të informacioneve jo të sakta nga Facebook dhe Tik Tok, në lidhje me konfliktin Izrael-Hamas.

D.XH
Facebook dhe TikTok mund të hetohen, nëse nuk i përgjigjen
Facebook dhe TikTok

SHBA- Facebookut dhe Tiktokut u është thënë në mënyrë zyrtare, që t’i ofrojnë Bashkimit Europian informacion, për mundësinë e përhapjes së informacioneve të rreme në platformat e tyre për konfliktin Izrael-Hamas.

Më herët, këtyre platformave u ishte dhënë kohë 24 orë për të kthyer një përgjigje, por kërkesa nuk kishte fuqi ligjore. Të dyja kompanitë kanë një javë kohë, që të përgjigjen.

BE është e shqetësuar për përhapjen e mundshme të përmbajtjes terroriste dhe të dhunshme, dhe gjuhës së urrejtjes, pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit.

Një zëdhënës i TikTokut deklaroi se do të publikohet një raport transparence nga ana e platformës.

"Ne do të publikojmë raportin tonë të parë të transparencës sipas [ligjit të ri] javën e ardhshme, ku do të përfshijmë më shumë informacion në lidhje me punën tonë të vazhdueshme për të mbajtur të sigurt komunitetin tonë evropian", tha një zëdhënës i TikTokut.

Një zëdhënës i Facebook tha se po punohet për të kontrolluar përhapjen e dezinformatave. "Ekipet tona po punojnë gjatë gjithë kohës për t'i mbajtur platformat tona të sigurta, për të ndërmarrë veprime për përmbajtjen që shkel politikat tona ose ligjin lokal dhe për të kontrolluar përhapjen e dezinformatave”, thanë nga kompania Facebook. Facebook deklaroi se do t’i përgjigjet zyrtarisht Komisionit Europian.

Kërkesa e BE-së vjen një javë pasi ajo kontaktoi X, për të njëjtat shqetësime. X tha në atë kohë se kishte hequr qindra llogari të lidhura me Hamasin nga platforma. Mediat sociale kanë njohur rritje të dezinformatave, në lidhje me konfliktin midis Izraelit dhe Hamasit, duke përfshirë imazhe të modifikuara dhe video të etiketuara gabimisht.

Hamasi sulmoi Izraelin, ndërsa përgjigja nga Tel Avivi ishte e menjëhershme. Më shumë se 4800 njerëz kanë vdekur nga sulmet e përgjakshme të të dyja palëve./Zëri.ai/

Poll

MOS HUMB