
MEKSIKË-Claudia Sheinbaum është zgjedhur presidentja e parë grua e Meksikës. Ajo u zgjodh presidente në një fitore historike dërrmuese, duke mundur dy rivalët e saj kryesorë dhe duke tejkaluar përqindjet tashmë të larta të presidentit në largim Andrés Manuel López Obrador. Rezultatet paraprake treguan se ish-kryebashkiakja 61-vjeçare e qytetit të Meksikos fitoi midis 58% dhe 60% të votave në zgjedhjet e së dielës. Kjo i jep asaj një epërsi prej gati 30 pikë përqindjeje ndaj rivales së saj kryesore, biznesmenes Xóchitl Gálvez.
Kush është Claudia Sheinbaum
Claudia Sheinbaum ka lindur në vitin 1962. Ajo është politikania e parë hebreje që bëhet presidente në këtë vend të dominuar nga katolikët. Ajo ka studiuar fizikë dhe doktoraturë në inxhinieri energjetike. Ajo ka punuar për vite si studiuese dhe është marrë me mbrojtjen e mjedisit që në moshë shumë të hershme. Ajo u zgjodh kryetare e bashkisë së periferisë së Tlalpan në vitin 2015 dhe tre vjet më vonë u bë kryetare e qytetit të Meksikos dhe kryetare e qeverisë lokale, gruaja e parë në historinë e qytetit që e bën këtë.
Gjatë pandemisë Covid-19, Sheinbaum zbatoi një politikë shumë të ndryshme nga ajo e qeverisë qendrore të vendit, duke promovuar parandalimin dhe shkencën në përgjithësi. Ajo bëri ndryshimin, po të kemi parasysh se si në Meksikë ashtu edhe në shumë vende të Amerikës Qendrore dhe Latine kishin dominuar populistët, të cilët thuajse e ndalonin botën të vaksinohej dhe të respektoheshin masat mbrojtëse ndaj virusit.
“Unë besoj në shkencë”, është motoja e Sheinbaum, e cila vjen nga një familje shkencëtarësh.
Syniemt si presidente
Presidentja e re e përkufizon veten si feministe , beson në barazinë gjinore, mbështet të drejtën për abort diçka shumë e rëndësishme në një vend konservator që vetëm një vit më parë legalizoi abortin deri në 12 javë të shtatzënisë dhe promovon të drejtat e komunitetit LGBTQ+.
Një nga synimet e saj kryesore është të përballet me nivelet e larta të krimit, por pa zbatuar politika ekstreme represioni, në të cilat ajo nuk beson. Ajo beson se e majta moderne duhet të promovojë sigurimin e të drejtave themelore për të gjithë banorët e vendit të saj dhe këtë synon të bëjë që nga 1 tetori, kur merr detyrën.
/ZËRI