KOSOVË- Kryetari i Vetëvendosjes dhe njëkohësisht Kryeministri, Albin Kurti ka dalë në një konferencë për media, pas zhvillimeve të fundit politike. Lidhur me ngërçin kushtetues për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës, Kurti tha se nuk e pranon dekretin e Presidentes Osmani, duke thënë se pret Gjykatën Kushtetuese.
Kurti u shpreh se Kuvendi nuk duhej të shpërndahej tani, duke theksuar se dekreti i presidentes Vjosa Osmani është jokushtetues. Sipas Kurtit, procesi nuk ka mbërritur në rundin e tretë, që do të çonte në zgjedhje automatikisht.
"Nevojiteshin së paku 80 deputetë pjesëmarrës në mënyrë që të plotësohet kuorumi. Duhet të ketë dështim të raundit të tretë që të shpërndahet Kuvendi. Mungesa e kuorumit mund të krijojë një bllokim procedural. Për ta shmangur Kushtetuta parashikon mekanizmin që vendos kufirin maksimal brenda 60 ditëve nga fillmi i procedurës. Nëse nuk zgjidhet presdienti brenda këtij afati, atëherë krijohet baza kushtetuee për shpërndarjen e Kuvendit dhe shpalljen e zgjedhjeve.
Nuk është përmbushur kriteri prej 60-ditësh, nuk jemi më 5 maj sot, por më 6 mars.
Dekreti për shpërndarjen e Kuvendi nuk është kushtetuese, sepse kompetenca për shpërndarjen e Kuvendit mund të ushtrohet vetëm në rastet e paracaktuar shprehimisht nga Kushtetuta. Ndodhemi në një situatë kur unë nuk besoj që mund të flasim për zgjedhje pa e thënë fjalën e fundit Kushtetuesja. Ata kanë një materie që duhet ta analizojnë”, tha Kurti.
Sipas tij zgjedhjet e reja nuk do të ishin zgjidhje. Për më tepër, ai thekson se zgjedhjet do të kushtonin 10 milionë euro. Ai shtoi se do të presin vendimin e Kushtetueses, në mënyrë që brenda 60 ditëve, të përmbyllet procesi sipas afatit.
“Nuk besoj që zgjedhjet e përsëritura janë zgjidhje e re përkundrazi do vazhdojë të ketë agoni legjislative që është e panevojshme dhe së paku zgjedhjet do të kushtojnë 10 milionë euro”, tha Kurti.
Më herët gjatë ditës, Kurti nuk mori pjesë në takimin konsultativ të thirrur nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ku pritej të diskutohej caktimi i datës së zgjedhjeve të reja. Ky takim erdhi pasi presidentja kishte nxjerrë dekret për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës./ZËRI