
BRUKSEL- Shqiptarët në Bruksel janë ngritur në protestë, teksa sot Kryrministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç pritet të zhvillojnë një sërë takimesh me udhëheqësit e Bashkimit Evropian. Ata u mblodhën para ndërtesës së Komisionit Evropian, ku kërkuan të hiqen masat ndëshkuese ndaj Kosovës dhe të sanksionohet Serbia.
“Jo Republika Srpska në Kosovë”, “Lajçak shko në shtëpi”, “Të bashkuar ne qëndrojmë, Asociacioni nuk është rruga”, ishin disa nga parullat që mbanin në duar protestuesit. Kërkesë tjetër e tyre ka qenë edhe që të ketë një proces të drejtë të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
Sot Kurti dhe Vuçiç ndodhen në Bruksel, ku do të priten veç e veç nga kancelari gjerman, Olaf Scholz, presidenti francez, Emmanuel Macron, dhe kryeministrja italiane, Giorgia Meloni. Në takime do të jetë i pranishëm edhe shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, i cili, po ashtu, do t’i informojë krerët e shteteve dhe qeverive të BE-së për gjendjen në procesin e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.