LONDËR — Kryeministri i ri britanik Andy Burnham ka komunikuar përmes mesazheve me një person që hiqej si një prej këshilltarëve më të afërt të Donald Trumpit, raporton POLITICO duke cituar 4 zyrtarë.Kryeministri komunikoi me një person që pretendonte se ishte Susie Wiles, shefja e stafit të Shtëpisë së Bardhë, përpara se ta kuptonte se kontakti nuk ishte real, thanë zyrtarët.
“Ne nuk komentojmë çështjet e sigurisë kombëtare”, deklaroi Downing Street. Një person i informuar mbi komunikimet tha se disa mesazhe u shkëmbyen pasi kryeministri hyri në Downing Street 10, por këmbënguli se ato ishin “pa ndonjë rëndësi”.
Ambasada britanike në Uashington ishte aq e shqetësuar për incidentin, saqë e ngriti çështjen me Shtëpinë e Bardhë, thanë dy prej zyrtarëve. Ashtu si të tjerët të cituar në këtë artikull, ata folën në kushte anonimiteti për shkak se bëhet fjalë për një çështje të sigurisë kombëtare.
Brenda qeverisë britanike kishte shqetësime se telefoni i Wiles mund të ishte hakuar sërish. Shtëpia e Bardhë nuk pranoi të komentonte.
Vitin e kaluar, Shtëpia e Bardhë dhe FBI nisën një hetim pasi senatorë, guvernatorë dhe drejtues biznesesh amerikane morën mesazhe dhe telefonata nga një person që pretendonte se ishte shefi i stafit të Trumpit. Wall Street Journal raportoi se Wiles u kishte thënë bashkëpunëtorëve të saj se kontaktet në celularin e saj ishin hakuar.
Nuk është e qartë se çfarë u diskutua gjatë komunikimit me Burnham dhe as se kur u dërguan mesazhet, ndërsa kontakti i rremë është mbajtur si një sekret i ruajtur me shumë kujdes.
Burnham u bë kryeministër më 20 korrik, por ishte e qartë se ai ishte në rrugën për të pasuar Keir Starmer që nga momenti kur fitoi zgjedhjet e pjesshme në Makerfield, më 18 qershor./ZËRI