
SHËNGJIN- Elly Schlein, kryetarja e Partisë Demokratike të Italisë do të vizitojë qendrat e emigrantëve të ngritura nga qeveria italiane në Shëngjin dhe Gjadër. Sipas “La Repubblica”, misioni i Schlein vjen pas polemikave të javëve të fundit që kanë shoqëruar projektin mes Italisë e Shqipërisë për emigrantët. Qendrat që duhej të strehonin qindra emigrantë të ardhur nga Mesdheu nga anijet e marinës italiane, nuk u mbushën kurrë dhe në të vërtetë, refugjatët e paktë që u sollën në Shqipëri u kthyen në Itali pas vendimeve të gjyqtarëve që anuluan ndalimet.
Kujtojmë se opozita italiane dhe ajo shqiptare e kanë kundërshtuar fort paktin Rama-Meloni për emigrantët, me argumentin se shkel të drejtat e njeriut. Ndërsa faktori ndërkombëtar ka qenë i ndarë në qëndrimet e tij, nëse hapja e kampeve të emigrantëve në Shqipëri është një vendim i drejtë ose i gabuar.
Marrëveshja me Italinë për emigrantët u nënshkrua në muajin nëntor të vitit të kaluar dhe më pas u ratifikua nga të dyja parlamentet ndërsa në vendin tokë u kërkua edhe një aprovim i gjykatës kushtetuese. Kapaciteti maksimal i numrit që do të presë qendra në Shqipëri nuk mund të jetë më shumë se 3 mijë emigrantë në muaj dhe në përfundim të procedurave të vlerësimit autoritetet italiane do të largojnë me shpenzimet e tyre refugjatët nga territori shqiptar. Por deri më tani qendrat janë bosh. /ZËRI