Bota

Kryeministri sllovak largon Lajçak nga dialogu Kosovë-Serbi?

Robert Fico mund ta emërojë Lajçakun si ministër të Jashtë, post që i dërguari i dialogut Kosovë-Serbi e ka mbajtur dhe më herët

D.XH
Kryeministri sllovak largon Lajçak nga dialogu Kosovë-Serbi?
Fico dhe Lajçak

SLLOVAKI – Një parti e drejtuar nga një drejtues pro-Kremlinit, fitoi zgjedhjet të dielën, sipas rezultateve të votimeve.

Zyra e Statistikave të Sllovakisë ka deklaruar se partia populiste SMER, e politikanit Robert Fico ka arritur të fitojë 22.9 përqind të votave, raporton The Economist.

Fico është një aleat i Miroslav Lajçak, i dërguari i BE-së për dialogun që po zhvillohet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Fico mund ta emërojë Lajçakun si ministër të Jashtëm të shtetit sllovak, në një detyrë, që ai e ka kryer dhe më herët.

Lajçak është një diplomat sllovak që më parë ka shërbyer si Ministër i Punëve të Jashtme të Sllovakisë dhe si President i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për seancën e 72-të (2017-2018). Pikërisht Lajçak ka qenë përfaqësues special i BE-së për Bosnjë Herzegovinën nga 2007-2009, ndërsa ishte edhe përfaqësues i lartë i bashkësisë ndërkombëtare në vendin ballkanik.

Po Lajçak, në vitin 2006, udhëhoqi referendumin në Mal të Zi për pavarësinë e vendit, nën emrin e Bashkimit Europian. Robert Fico e ka nisur karrierën e tij kur ishte avokat dhe u anëtarësua në Partinë Komuniste të Sllovakisë.

Në vitin 1999, ai u largua nga Partia e Majtës Demokratike, trashëgimtare politike e Partisë Komuniste, për të themeluar të tijën, Smer-SD. Në vitin 2006, kjo parti arriti që të ketë shumicën e ulësve në Kuvend, duke e parë Ficon si kryeministër, dy vite pasi Sllovakia ishte anëtarësuar në BE.

Fico më tej formoi një koalicion me Partinë Kombëtare Sllovake, e cila ishte me prirje të ekstremit të djathtë dhe përdorte një gjuhë tepër të ashpër ndaj emigrantëve që arritën në Europë. Ai më 2015, kur kriza e refugjatëve arriti kulmin, refuzoi një plan europian në Sllovaki për emigrantët, duke thënë se “shteti sllovak nuk mund të krijojë një zonë ku të jetojnë ekskluzivisht myslimanët”. Kjo e shtoi popullaritetin e Ficos.

Robert Fico fillimisht krijoi një reputacion në skenën evropiane si përfaqësuesi i vendit të tij në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg nga viti 1994 deri në vitin 2000. Ai fitoi zgjedhjet, duke përdorur një retorikë antiBE dhe pro-Rusisë. Madje, Fico në deklaratat e tij publike ka dënuar edhe urdhër-arrestin ndërkombëtar për Vladimir Putin dhe ka refuzuar të mbajë qëndrim kundër Moskës. /Zëri.ai/

 

Poll

MOS HUMB