
BEOGRAD- Presidenti serb Aleksandër Vuçiç tha të enjten se ai mori ftesë nga presidenti rus Vladimir Putin për t'u bashkuar në Samitin e BRICS në tetor, por njoftoi se ai e refuzoi këtë kërkesë, pasi Serbia do të ketë mysafirë të rëndësishëm gjatë asaj periudhe.
“Para 10-12 ditësh mora një ftesë për t'iu bashkuar samitit të BRICS më 23 dhe 24 tetor. Kemi mysafirë të rëndësishëm nga jashtë për atë kohë”, tha Vuçiç në një fjalim para gazetarëve, por nuk dha më shumë detaje rreth kësaj.
Samiti i vendeve të BRICS (Brazili, Rusia, India, Kina, Afrika e Jugut) zhvillohet nga 22 deri më 24 tetor në qytetin rus të Kazanit.
Putin gjithashtu e ftoi Vuçiçin të marrë pjesë në Samitin e BRICS në një takim me zëvendëskryeministrin e Serbisë, Aleksandër Vulin, në margjinat e Forumit Ekonomik Lindor në Vladivostok më 4 shtator.
Bashkimi Evropian njoftoi para takimit midis Putinit dhe Vulin se ruajtja e lidhjeve me Rusinë gjatë luftës së saj t kundër Ukrainës nuk është në përputhje me vlerat e BE-së dhe procesin e anëtarësimit.
“Bashkimi Evropian ka qenë i qartë me partnerët tanë: marrëdhëniet me Rusinë nuk mund të jenë normale pas luftës të pajustifikuar të agresionit të Rusisë kundër Ukrainës”, tha një zyrtar për Radion Evropa e Lirë më 3 shtator.
Vulin është konsideruar prej kohësh një nga mbështetësit më të fortë të Kremlinit në mesin e elitës qeverisëse serbe. Departamenti i Shtetit Amerikan e vendosi atë në listën e sanksioneve në mesin e vitit 2023, për shkak të lidhjeve të tij me Rusinë dhe korrupsionit të dyshuar, ndërsa ai ishte ende në krye të Agjencisë së Inteligjencës së Sigurisë.
Ai u tërhoq nga ai pozicion në nëntor 2023, pasi u përball me presionin e pretenduar nga Perëndimi. Vulin u emërua zëvendëskryeministër i Qeverisë së Serbisë në fillim të majit.
Serbia mbetet vendi i vetëm në Evropë që refuzon t'i bashkohet sanksioneve ndërkombëtare kundër Kremlinit pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia. /ZËRI