
PRISHTINË- Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kërkoi ndjesë publike për herë të parë. Ai mori pjesë këtë të mërkurë në inagurimin e një shkolle në Podujevë, ku ishte i shoqëruar nga ministrja e Arsimit Arbërie Nagavci dhe kryetari komunës së Podujevës Shpejtim Bulliqi.
Teksa ndodhej në një klasë, Kurti provoi të zgjidhë një ekuacion për nxënësit e klasës së shtatë, por e zgjidhi gabim. Kreu i qeverisë së Kosovës është diplomuar në fakultetin e Elektronikës në Universitetin e Prishtinës. Pasi ai zgjidhi ekuacionin e publikoi në rrjetet sociale dhe shumë qytetarë reaguan, duke deklaruar se e ka zgjidhur gabim. Kurtit i doli 5 rezultati i X ndërsa të tjerët thonë se ajo është 0.

Gabimin e ka pranuar edhe vetë Kurti pak orë më vonë me një reagim në Facebook ku edhe ka kërkuar ndjesë për gabimin e tij.
“Kërkimfalje nxënësve të klasës 7/1 të shkollës fillore “Ali Hadri”. Të dashur nxënës, ju falemnderit për mikpritjen e përzemërt në ndërtesën e re të shkollës suaj. Gëzimi juaj sot më mbushi me mall për bankat shkollore. Por, më duhet të them që tash jam i gëzuar që nuk isha nxënës në atë çast, sepse nuk do të merrja notë kaluese. Ekuacioni i thjeshtë matematikor m’u duk që në sekondën e parë që e ka zgjidhjen x=5; pra pesë, porsi pesëshet që ua dëshiroj juve. Po të mendoja pak, do ta shihja që zgjidhja e saktë është x=0, por në atë rast, nuk besoj që do të merrja mundin të merrja shkumësin e të shkruaja në dërrasën e klasës suaj. Ju kërkoj falje. Zgjidhja e atij ekuacioni, ashtu qysh ju e dini më mirë se kryeministri i juaj, është x=0. Ju përshëndes e ju dua fort, Albini”, shkroi ai në rrjetet sociale.
Kjo është hera e parë që Albin Kurti ka kërkuar falje publike. /ZËRI