Bota

Konjufca: Ne duruam derisa bota demokratike u bind se kemi të drejtë

Kryetari i parlamentit të Kosovës Glauk Konjufca deklaroi se populli i Kosovës më parë e jep jetën sesa i nënshtrohet Serbisë.

D.XH
Konjufca: Ne duruam derisa bota demokratike u bind se kemi të drejtë
Glauk Konjufca

PRISHTINË – Kryetari i parlamentit të Kosovës, Glauk Konjufca, në fjalën e tij në seancën solemne në nder të përjetorit të Pavarësisë së Kosovës, ka rikujtuar rrugën plot mundime të popullit të Kosovës, deri në çlirimin e vendit dhe arritjen e pavarësisë. Konjufca tha se në themelet e shtetit të Kosovës është heroizmi i Jasharajve, urtësia e Ibrahim Rugovës dhe ideali i Adem Demaçit.

“Në themelin e Kosovës qëndron heroizmi i Jasharajve, urtësia e Rugovës dhe ideali i Adem Demaçit”, tha Konjufca ndër të tjera.

Ai ka shtuar më tej se populli i Kosovës ka duruar, derisa bota demokratike u bind se aspirata e Kosovës ishte e drejtë dhe kur e vërejti se populli i Kosovës më parë jep jetën sesa i nënshtrohet Serbisë. Konjufca ka deklaruar se kur ndërkombëtarët e panë se lufta ishte e pastër, e ndihmuan Kosovën që ta largojnë nga Serbia.

“Ne duruam deri kur bota demokratike u bind se kemi të drejtë. Kur bota e pa që më parë e japim jetën sesa nënshtrohemi para Serbisë dhe kur e pa që lufta jonë është e pastër, na ndihmoi për ta larguar diktatorin”, tha Konjufca. “Si popull ne e kemi edhe durimin, edhe guximin”, tha ai.

Glauk Konjufca deklaroi se Kosova nuk i harron miqtë e saj, që e dërguan deri në Pavarësi. “Ne nuk i harrojmë miqtë tanë, pa të cilët rruga jonë do të ishte e pamundur, veçanërisht SHBA-në dhe BE-në. Një falenderim vjen edhe për NATO-n, që ndali gjenocidin e Serbisë në Kosovë”, u shpreh Konjufca./ZËRI/

Poll

MOS HUMB