Qytetërim

Kishte tatuazh me lule, vajza e vrarë identifikohet pas 30 vitesh

Rita Roberts u identifikua falë faktit se ajo mbante një lule si tatuazh. Familja e saj u shpreh se ndihet e çliruar, pasi së paku mori vesh sesi shkuan gjërat për vajzën e gjorë.

D.XH
Kishte tatuazh me lule, vajza e vrarë identifikohet pas 30 vitesh
Rita Roberts

BELGJIKË- Një vajzë britanike është identifikuar më shumë se 30 vjet pas vrasjes së saj në Belgjikë, pas nisjes së një fushate të policisë, për të identifikuar persona të vrarë kohë më parë.

Interpol njofton se Rita Roberts është identifikuar falë faktit se ajo mbante një tatuazh me lule në krah. Kontakti i fundit që 31-vjeçarja pati me familjen e saj ishte nëpërmjet një kartoline në maj të vitit 1992. Trupi i saj u gjet një muaj më pas, ndërsa nuk u identifikua në çast nëse ishte Rita.

Familja e saj tha se lajmi se trupi i vdekur i gjetur nga policia ishte i vajzës së zhdukur ishte tronditës dhe zemërthyes.

“Motra jonë e pasionuar, e dashur dhe me shpirt të lirë u mor mizorisht dhe u vra. Ndërsa lajmi ka qenë i vështirë për t’u përpytur, ne jemi jashtëzakonisht mirënjohës që kemi zbuluar se çfarë i ndodhi Ritës. Më mirë që morëm vesh fundin e saj tragjik, sesa të vazhdonim ta kërkonim, duke qenë në statusin e të zhdukurës”, thanë familjarët.

‘Një person me shpirt të lirë’

Zonja Roberts ishte një nga 22 gratë e vrara që policia në Evropë kërkonte t'i identifikonte përmes një fushate të nisur në fillim të këtij viti, të quajtur Operacioni “Identify Me”.

Fushata shënoi herën e parë që Interpoli doli publikisht me një listë të të ashtuquajtur ‘njoftime të zeza’, duke kërkuar informacion për trupa të paidentifikuar. Njoftime të tilla zakonisht qarkullojnë vetëm brenda rrjetit të forcave policore të Interpolit në të gjithë botën.

Shumica e viktimave ishin të moshës nga 15 deri në 30 vjeç. Lista e plotë - e disponueshme në faqen e internetit të Interpolit - përfshin detaje rreth grave, fotografi të sendeve të mundshme identifikuese dhe, në disa raste, rindërtime të reja të fytyrës dhe informacione rreth rasteve.

Policia kërkon emrat e 22 grave të vrara

Zonja Roberts kishte udhëtuar nga shtëpia e saj në Cardiff në qytetin belg të Antuerp në shkurt 1992. Trupi i saj u gjet i shtrirë në një grilë në një lumë katër muaj më vonë, pasi ajo ishte vrarë dhunshëm.

Familja e saj tha se ajo ishte "një person i bukur që adhuronte udhëtimet" dhe e donte familjen e saj, duke shtuar: "Ajo kishte aftësinë të ndriçonte një dhomë dhe kudo që shkonte, ajo ishte shpirti i festës".

Kreu i shërbimeve policore të Interpolit, Stephen Kavanagh, tha se një anëtar i familjes e identifikoi atë pasi kishte parë tatuazhin e saj - një lule e zezë me gjethe jeshile dhe "R'Nick" të shkruar poshtë.

Pasi njohu tatuazhin, familja u takua me hetuesit në Belgjikë dhe e identifikuan zyrtarisht atë.

"Ka një kontradiktë të tmerrshme këtu - ne jemi krenarë që kemi qenë në gjendje të punojmë me vendet anëtare, ne jemi krenarë që kemi qenë në gjendje të identifikojmë këtë grua të varfër, Ritën, por jemi gjithashtu të shkatërruar për familjen. sepse ata kanë humbur një të dashur në rrethana brutale”, tha zoti Kavanagh.

Autoritetet belge tani po i bëjnë thirrje publikut që të paraqesë çdo informacion që ata kanë në lidhje me zonjën Roberts ose rrethanat rreth vdekjes së saj.

Që nga nisja e Operacionit Identify Me në maj, policia thotë se ka marrë rreth 1250 këshilla në lidhje me 22 gratë, trupat e të cilëve u zbuluan në Holandë, Belgjikë dhe Gjermani./Zëri.ai/

Poll

MOS HUMB