
RROGOZHINË- Ndarja nga jeta e Raphael Dwamena ka prekur të gjithë opinionin sportiv në Shqipëri, i cili është solidarizuar me këtë ngjarje tragjike. Dhimbja ka qenë e madhe për të gjithë personat që e njihnin, e këtu nuk bëjnë përjashtim as lojtarët me të cilët ka ndarë dhomën e zhveshjes.
Një prej tyre, Donald Mëllugja, shoku i tij i ekipit ka përjetësuar kujtimin e sulmuesit duke e bërë tatuazh. “Pusho në paqe”,- shkruhet në tatuazhin me imazhin e Dwamenas, si edhe datën e ndarjes nga jeta, 11.11.2023.
Raphael Dwamena ndërroi jetë më datë 11 nëntor, gjatë zhvillimit të ndeshjes Egnatia-Partizani në Rrogozhinë. Ishte minuta e 24 e sfidës, kur Dwamena ra papritur në fushë. Pavarësisht ndihmës mjekësore, ai ndërroi jetë. Dwamena ishte golashënuesi më i mirë i kampionatit shqiptar. /Zëri.ai