Bota

Kërkohet paraburgimi për 5 zyrtarët policorë pas vdekjes së Agon Zejnullahut

Policia ka thënë se i ndjeri, i identifikuar si Agon Zejnullahu, dyshohet se ka qenë nën ndikimin e alkoolit dhe duke sulmuar automjete e kalimtarë, kur është ndaluar nga autoritetet e rendit.

Redaksia Zëri
Kërkohet paraburgimi për 5 zyrtarët policorë pas vdekjes
Foto ilustruese

PRISHTINË- Prokurorët kanë kërkuar paraburgim për pesë zyrtarë të Policisë së Kosovës, nën dyshimet për përfshirje në një ndërhyrje që përfundoi me vdekjen e një të riu 27-vjeçar, gjatë një seancë të mbajtur të mërkurën në Gjykatën Themelore të Prishtinës, dega në Lipjan. Duke folur për media pas seancës dëgjimorë, avokati mbrojtës i njërit nga pesë policët e dyshuar, Besnik Berisha, tha se ky është një rast “ që ka tronditur secilin, por një rast që unë besoj se as nuk i kanë kontribuuar e as shkaktuar këta zyrtarë policorë”.

“Sot u kërkua masa e paraburgimit vetëm për një arsye, sepse raportet janë të acaruara mes palës së dëmtuar dhe zyrtarëve policorë të arrestuar”, tha Berisha.

Rasti ka ndodhur në orët e hershme të 7 korrikut në Lipjan, ndërsa në mbrëmje janë arrestuar të pesë policët që janë marrë me rastin, nën dyshimet se kanë kryer veprën penale “vrasje nga pakujdesia”. Policia ka thënë se i ndjeri, i identifikuar si Agon Zejnullahu, dyshohet se ka qenë nën ndikimin e alkoolit dhe duke sulmuar automjete e kalimtarë, kur është ndaluar nga autoritetet e rendit. Berisha tha se Policia e Kosovës "sot po etiketohet e sulmohet dhe madje padrejtësisht po linçohet, derisa mjekësia ende nuk ka folur dhe nuk dihet as shkaku i vdekjes e as kontributi në shkakun e vdekjes, e aq më pak nuk dihet se cilat ishin substancat të cilat ishin në organizmin e tani të të ndjerit". Ai shtoi se zyrtarët policorë "nuk janë fajtorë" dhe se ata vepruan "në përputhje" me kompetencat e tyre ligjore.

"Ata kontribuuan për liri dhe drejtësi dhe vepruan ashtu siç janë të trajnuar ashtu siç e kanë udhëzimin administrativ për përdorimin e forcës dhe u dolën në ndihmë qytetarëve të Lipjanit", tha ai.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë thirrje për transparencë të plotë, përgjegjësi institucionale dhe drejtësi pakompromis lidhur me rrethanat e vdekjes së Zejnullahut. Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar dhe ka thënë se pret “hetim të thellë dhe sa më të shpejtë që zbardh të vërtetën e plotë dhe i bën të njohura të gjitha rrethanat” e vdekjes së 27-vjeçarit. Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se hetimet janë duke u zhvilluar me intensitet maksimal dhe se kushdo që rezulton fajtor për vdekjen e të riut, do të marrë dënimin e merituar. Nga pamjet e shpërndara në mediat sociale, që thuhet se janë nga rasti në Lipjan, viktima duket me duar të lidhura dhe në gjunjë, ndërsa më pas bartet me auto-ambulancë.

Familja ka deklaruar se është e zhgënjyer me mungesën e deritashme të transparencës nga autoritetet.

Vëllai i viktimës, duke folur për disa media në Prishtinë më 8 korrik, tha se familjarët nuk kanë marrë asnjë sqarim nga policia, ndërsa trupi i të ndjerit “ka pasur shumë shenja dhe thyerje”.

Kryeministri në detyrë, Kurti, duke komentuar reagimet publike për ngjarjen, ka thënë se “tendenca që të nisë një antifushatë ndaj Policisë është e dëmshme dhe nuk është zgjidhje”.

“Thirrjet për drejtësi dhe përgjegjësi janë të drejta, por ato më së miri realizohen me rezultatet e plota të hetimeve, dhe një verdikt profesional në bazë të tyre”, është shprehur Kurti./REL

Poll

MOS HUMB