
INDI- Ministria e Shëndetësisë e Indisë ka urdhëruar një hetim ndaj Spitalit Apollo Delhi, në pronësi të zinxhirit më të madh të spitaleve private Apollo Hospitals, pas raportimeve që e lidhin atë me qytetarët e Mianmarit që shisnin ilegalisht veshkat e tyre për transplantim. Zinxhiri i Spitaleve Apollo nuk i është përgjigjur ende një kërkese të Reuters për koment.
Indraprastha Medical Corp, partneri i Apollo që drejton dy spitalet e tij në rajonin e Nju Delhit, tha se kishte nisur një hetim për këtë çështje dhe i quajti akuzat kundër spitalit "absolutisht të rreme, dezinformata dhe mashtruese".
Një shkrim i gazetës britanike 'Telegraph' akuzon Apollon për përfshirje në një skandal "për shitjen e veshkave" në të cilin thuhet se të rinj nga Myanmar transportohen me avion në spitalin e tij në Nju Delhi dhe joshen për t'i shitur veshkat e tyre pacientëve të pasur.
Zinxhiri Apollo, i cili ka selinë në Chennai dhe ka mbi 70 spitale në të gjithë Indinë, ka kryer 1,641 transplantime të organeve në vitin 2022, sipas të dhënave të kompanisë. Spitali trajton gjithashtu pacientë të huaj që mbërrijnë me avion në Indi./ZËRI