
SHBA- Ambasadorët e Iranit dhe Izraelit në OKB u përplasën gjatë një takimi të Këshillit të Sigurimit të OKB-së sot, duke akuzuar njëri-tjetrin për shkelje të ligjeve ndërkombëtare dhe duke u zotuar të vazhdojnë fushatat e tyre të bombardimit. Ndërsa konflikti midis Izraelit dhe Iranit hyn në javën e dytë të përplasjes, Kombet e Bashkuara kërkuan një takim urgjent për të diskutuar situatën.
Ambasadori iranian në OKB, Amir Saeid Iravani, tha se Irani do të vazhdojë të ushtrojë të drejtën e tij për vetëmbrojtje për aq kohë sa të jetë e nevojshme, duke akuzuar Izraelin dhe aleatët e tij për shkelje të ligjit ndërkombëtar. Sipas CNN, ambasadori i Izraelit në OKB, Danny Danon, i cili mori fjalën menjëherë pas Iravanit, akuzoi ambasadorin iranian se duke pretenduar se ai “po luan rolin e viktimës”.
Amir Saeid Iravani: Si guxoni t’i kërkoni bashkësisë ndërkombëtare t’ju mbrojë nga pasojat e axhendës suaj gjenocidale? Ju nuk jeni viktima. Ju nuk jeni diplomat. Ju jeni një ujk i maskuar si diplomat.
Danny Danon: Izraeli nuk do të ndalet. Jo derisa kërcënimi bërthamor i Iranit të çmontohet, jo derisa makineria e luftës të çarmatoset, jo derisa populli ynë dhe juaji të jenë të sigurt. Sulmi i Izraelit hapi dritaren e fundit të për të parandaluar Iranin nga pajisja me armë bërthamore.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, ka paralajmëruar se konflikti midis dy vendeve mund të përshkallëzohet shpejt dhe ka bërë thirrje për përmbajtje.
“Zgjerimi i këtij konflikti mund të ndezë një zjarr që askush nuk mund ta kontrollojë. Apeloj për t'i dhënë fund luftimeve dhe për t'u rikthyer në negociata serioze,”- tha ai.
Ndërsa Kina tha se Izraeli po shkelte të drejtën ndërkombëtare. Rusia, gjithashtu tha se Izraeli kishte treguar një “shpërfillje të hapur” për diplomacinë. Në anën tjetër SHBA-të e quajtën Iranin burimin kryesor të terrorit në Lindjen e Mesme dhe thanë se vazhdojnë të qëndrojnë në krah të Izraelit si aleat dhe mbështesin veprimet e tij./ZËRI