
IZRAEL- Izraeli zyrtarizoi të dielën refuzimin e asaj që e quan “njohje e njëanshme” e një shteti palestinez dhe shtoi se një marrëveshje e mundshme duhet të arrihet vetëm nëpërmjet negociatave të drejtpërdrejta.
Kujtojmë se më herët kryeministri izraelit deklaroi se nuk kishte kuptim vazhdimi i bisedimeve me Hamasin. Bisedimet e ndërmjetësuara nga Katari, Egjipti dhe Shtetet e Bashkuara nuk kanë arritur deri më tani vendosjen e një pauze në luftimet në Gazë.
Kryeministri Benjamin Netanyahu e njoftoi qëndrimin nëpërmjet një deklarate, të cilën e paraqiti për t’u votuar gjatë mbledhjes së kabinetit qeveritar, që e miratoi atë unanimisht. Deklarata zyrtare reflekton qëndrimin e Izraelit ndaj atij që e quan imponim për një shtet palestinez.
“Kjo është deklarata: Izraeli refuzon kategorikisht diktatin ndërkombëtar në lidhje me një marrëveshje të përhershme me palestinezët. Një marrëveshje e tillë do të arrihet vetëm nëpërmjet negociatave të drejtpërdrejta me palët, pa parakushte. Izraeli do të vazhdojë ta kundërshtojë njohjen e njëanshme të një shteti palestinez. Një njohje e tillë pas masakrës së 7 tetorit do t’i dhuronte terrorizmit një shpërblim të jashtëzakonshëm dhe të paprecedentë dhe do të pengonte një marrëveshje të ardhshme për paqen”, lexoi Netanyahu nga deklarata zyrtare.
Duke folur për gazetarët, kryeministri Netanyahu tha se, me kërkesë të presidentit amerikan Joe Biden, kishte dërguar negociatorë në bisedimet për armëpushimin në Kajro, por se bisedimet kanë ngecur.
/ZËRI