
TEL AVIV- Ushtria izraelite konfirmoi se ka vrarë një tjetër lider të Hamasit. Izraeli tha se shefi ushtarak i Hamasit, Mohammed Deif u vra në një sulm ajror në Rripin e Gazës në korrik.
Deif u vra gjatë një sulmi në një kompleks në zonën Khan Younis më 13 korrik. Hamasi ende nuk e ka konfirmuar vdekjen e tij.
Izraeli tha se Deif ishte një nga figurat përgjegjëse për planifikimin e sulmeve të 7 tetorit në Izraelin jugor, ku u vranë 1200 njerëz.
Njoftimi i Izraelit vjen pas vrasjes së liderit politik të Hamasit, Ismael Haniyeh, i cili u vra në Teheran, dhe komandantit të lartë të Hezbollahut, Fuad Shukr, i cili u vra në një sulm ajror izraelit në kryeqytetin libanez, Bejrut.
Ushtria izraelite tha se pas një vlerësimi të inteligjencës, mund të konfirmohet se Mohammed Deif u ekzekutua në sulmin e 13 korrikut.
Autoritetet shëndetësore të Gazës, të drejtuara nga Hamasi, thanë në atë kohë se sulmi ajror kishte vrarë më shumë se 90 njerëz, por mohuan që Deif të ishte në mesin e të vdekurve.
Mohammed Deif ishte kreu i Brigadave Izzedine al-Qassam, krahu ushtarak i lëvizjes Hamas.
Ai u burgos nga autoritetet izraelite në vitin 1989, pas së cilës ai formoi Brigadat me qëllim të vrasjes së ushtarëve izraelitë.
Izraeli e akuzoi atë për planifikimin dhe mbikëqyrjen e bombardimeve të autobusëve që vranë dhjetëra izraelitë në vitin 1996 dhe për përfshirje në vrasjen e tre ushtarëve izraelitë në mesin e viteve 1990.
Ai gjithashtu ka ndihmuar në ndërtimin e tuneleve që kanë lejuar luftëtarët e Hamasit të hyjnë brenda Izraelit nga Gaza. /ZËRI/