
MOSKË- Gazetari amerikan Evan Gershkovich raportohet se është liruar si pjesë e një shkëmbimi të të burgosurve politikë mes SHBA dhe Rusisë. Gazetari i Wall Street Journal mund të jetë midis 20 dhe 30 të burgosurve politikë të shkëmbyer mes dy vendeve, sipas Moscow Times. Pjesë e kësaj marrëveshje është edhe Gjermania.
Raportimi vjen në mes të spekulimeve të raportuara brenda Rusisë se një shkëmbim i të burgosurve me pozicione të larta mund të ndodhë, pasi disa prej tyre u larguan nga burgjet e tyre dhe u zhvendosën në një vend anonim.
Gershkovich u arrestua në mars 2023 me akuza për spiunazh që Shtetet e Bashkuara thonë se janë të paligjshme. Ai u dënua me 16 vjet burg në korrik.
Sipas gazetës ruse, të burgosur të tjerë që mund të jenë pjesë e marrëveshjes përfshijnë njerëz të lidhur me Alexei Navalny, kundërshtarin politik të Vladimir Putin, i cili u gjet i vdekur në një kamp burgu në shkurt.
Nëse raportet për shkëmbimin e deri në 30 të burgosurve janë të vërteta, ky do të ishte shkëmbimi më i madh i të burgosurve midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë që nga fundi i Luftës së Ftohtë.
Sipas burimit anonim, autoritetet ruse kanë bërë përpjekje të mëdha për ta mbajtur informacionin brenda Rusisë sa më të fshehtë deri në momentin e fundit. Spekulimet nisën të mërkurën kur avionët ushtarakë të Kremlinit thuhet se fluturuan në rajone të izoluara në Rusi ku mbahen të burgosur politikë./ZËRI