Bota

Intervistë me Jean-Claude Juncker/ Si del Europa nga kriza?

Junker foli për krizën e refugjatëve, duke dhënë sugjerime sesi kjo çështje mund të gjejë një zgjidhje

D.XH
Intervistë me Jean-Claude Juncker/ Si del Europa nga kriza?
Ish-presidenti i Komisionit të BE-së, Jean Claude Juncker

BRUKSEL - Jean-Claude Juncker ishte President i Komisionit të BE-së gjatë krizës së refugjatëve. Në një intervistë, ai shpjegon sesi mund të zgjidhet çështja e refugjatëve, por edhe për të tjera tema që shqetësojnë sot Bashkimin Europian.

Zoti Juncker, ju ishit President i Komisionit Europian gjatë krizës së refugjatëve, ku u fol për reformë në këtë çështje. Tetë vjet më vonë, shtetet e BE-së ende nuk kanë arritur të miratojnë një reformë. Sa do të zgjasë ky ngërç?

Jean-Claude Juncker: Jo për një kohë tepër të gjatë. Problemet në 2023 nuk janë shumë të ndryshme nga ato me të cilat u përballëm në 2015. Evropa duhet të mbetet një kontinent i hapur për njerëzit e persekutuar në botë, që aplikojnë në mënyrë legjitime për azil. Por ne duhet të bëjmë dallimin, ndërmjet atyre që kanë të drejtë për azil dhe migrantëve të parregullt.

Fakti që nuk ka një reformë për refugjatët nuk është se vjen për faktin se mungon vullneti nga Komisioni Europian, por vjen sepse shtetet anëtare, në sfondin e zhvillimeve të brendshme politike, sprovave dhe mundimeve të tyre, nuk janë të gatshme ta përballojnë këtë krizë në solidaritet. Nëse shtetet do të ndiqnin atë që propozoi Komisioni në vitin 2015, situata nuk do të ishte aq dramatike sot.

Në atë kohë, u kërkua që refugjatët të shpërndahen...

Juncker: Po, që refugjatët të shpërndahen sipas një sistemi kuotash. Nuk më pëlqen dhe shumë shprehja “të shpërndahen sipas kuotave”, sepse kemi të bëjmë me njerëz që kanë një biografi, ëndrra, pritshmëri dhe nevoja individuale. Dhe as kjo reformë është e qartë që nuk do të ngadalësonte ardhjen e refugjatëve. Ne duhet të sigurojmë që vendet e origjinës të jenë të përgatitura për të marrë mbrasht ata persona, që nuk kanë të drejtë për azil. Kjo është gjë e vështirë, sepse shumica e këtyre shteteve refuzojnë.

Keni përshtypjen se edhe ju keni dështuar në përpjekjen për të zgjidhur krizën?

Juncker: Kur BE-ja merr vendime të orientuara drejt së ardhmes, kanë qenë gjithmonë qeveritë e vendeve europiane  vendimmarrëse kryesore. Nëse diçka nuk funksionon, i lihet gjithmonë faji Komisionit. Por Komisioni nuk kishte faj, për dështimin e shteteve anëtare evropiane për të gjetur zgjidhje.

Mos u trajtuan ndryshe refugjatët ukrainas nga sirianët?

Juncker: Fakti që ukrainasit vijnë nga e njëjta hapësirë ​​kulturore dhe fetare si ne, duket se ka bërë që t’i presim krahëhapur. Nuk besoj se jemi treguar më ndryshe me afganët apo sirianët. Unë jam kundër këtij këndvështrimi të të parit të refugjatëve. Nëse një mysliman ikën nga Siria për shkak se gruaja e tij u përdhunua dhe i vranë fëmijët, kjo është një arsye për azil. Kështu dhe një ukrainas që ka përjetuar një tragjedi të tillë në familje, patjetër që është në të njëjtat kushte me sirianin.

Cili është mesazhi juaj për takimin e 27 krerëve të shteteve dhe qeverive në Grenada, Spanjë?

Juncker: Do të doja të mendohej më shumë me zemër. Është një shprehje që tingëllon paksa popullore, pothuajse tingëllon si letërsi romantike gjermane e shekullit të 19-të, por ne kemi nevojë për afri shpirtërore. Refugjatët nuk mund të ndahen sipas përkatësisë fetare apo vendit nga vijnë.

Ju e mbyllët fjalimin tuaj të fundit si President i Komisionit me thirrjen: “Luftoni nacionalizmin”. Sot partitë ekstreme janë në rritje. Çfarë e ka sjellë një gjë të tillë?

Juncker: Duhet të kemi kujdes nga populistët. Kushdo që vrapon pas tyre duhet të ketë kujdes. E djathta ekstreme formulon përgjigje të thjeshta për proceset e ndërlikuara. Por bota po përballet me çështje të ndërlikuara, sidomos në vitet e fundit. Qytetarëve iu desh të përballeshin me shumë kriza, që kontribuan në pasiguri masive. Kriza financiare, pandemia, lufta në Ukrainë. Janë shumë gjëra për një kohë të shkurtër. Dhe kur njerëzit hutohen nga realiteti, populistët e kanë të lehtë të gjejnë “gjahun” e tyre. Thjesht populistët kapin ndjenjat e pakënaqësisë, që ekzistojnë në disa pjesë të popullsisë. Në fund të fundit, problemi mbetet se politika nuk ka gjetur ende një përgjigje për emigracionin e pakontrolluar.

Giorgia Meloni, kryetarja e qeverisë italiane nga Fratelli d'Italia, e djathtë ekstreme, vlerësohet nga shumë njerëz në nivel të BE-së, si një partner konstruktiv. Si e komentoni diçka të tillë?

Juncker: Jo, ne po i luftojmë ekstremistët me fjalë dhe me vepra. Por kur sundojnë ekstremet, ata duhet të gjykohen nga veprimet e tyre. Ekstremet janë forcuar, por kjo nuk do të thotë se Meloni mban qëndrime kundër BE në çdo rast. Ne duhet të respektojmë dhe një opinion që është populist. Duhet të mendojmë edhe për ata që nuk janë si ne. Por unë jam kundër bashkimit të forcave me parti si ajo e Melonit.

Shumë zëra në BE po bëjnë thirrje për bisedime të shpejta të pranimit me Ukrainën. Si e vlerësoni këtë diskutim?

Juncker: Ju nuk duhet të bëni premtime të rreme për njerëzit në Ukrainë që janë duke vuajtur nga luftë e rëndë. Unë jam shumë i zemëruar për disa zëra në Evropë që po u thonë ukrainasve se mund të bëhen anëtarë menjëherë. Kjo nuk do të ishte as mirë për BE-në dhe as për Ukrainën.

Kushdo që ka pasur ndonjë lidhje me Ukrainën e di se ky është një vend i korruptuar në të gjitha nivelet e shoqërisë. Pavarësisht përpjekjeve, nuk është e pranueshme që Ukraina të anëtarësohet dhe ka nevojë për procese masive të reformave të brendshme. Ne kemi pasur përvoja të këqija me disa të ashtuquajtur anëtarë të rinj, për shembull kur është fjala për sundimin e ligjit. Kjo nuk mund të përsëritet më.

Presidenti i Këshillit të BE-së Charles Michel ose pasardhësja e saj, Ursula von der Leyen, duket se e shohin këtë gjë ndryshe

Juncker: Perspektiva evropiane për Moldavinë dhe Ukrainën, e cila mbrohet me kaq virtyt dhe mbron vlerat evropiane, duhet të ruhet, por nuk duhet të lidhet me shpresën se kjo mund të arrihet brenda natës me shtypjen e një butoni. Nëse bëhet përparim në këto vende, qoftë në Ukrainë apo në Ballkanin Perëndimor, duhet të jetë e mundur që ata të marrin pjesë në BE.

Keni përshtypjen se Brukseli po përgatitet për skenarin që Donald Trump të bëhet sërish President i SHBA?

Juncker: Nuk është e lehtë nëse ky skenar ndodh. Për shkak se amerikanët e dinë që ne jemi të dobët në anën e mbrojtjes, ata po marrin disa masa paraprake kur merren me Evropën. Besoj se Komisioni po merret intensivisht me këtë çështje, megjithëse nga përvoja ime di të them se jo gjithçka që shpall Trump është realizuar.

Jeni të shqetësuar apo optimist për të ardhmen? Si del Evropa nga kriza?

Juncker: Evropa ka qenë në krizë që kur unë u bëra anëtar i Këshillit Evropian të Ministrave në 1982. Por çfarë ka ndodhur që atëherë? BE-ja është zgjeruar në mënyrë paqësore në Evropën Lindore dhe Qendrore, duke u shtrirë me sukses në gjeografinë evropiane. Kemi arritur bashkimin monetar, kemi forcuar tregun e brendshëm dhe kemi kapërcyer krizën financiare. Në pandemi dhe luftën në Ukrainë, fronti evropian është i përbashkët, me devijime të lehta nga hungarezët dhe të tjerët. Në përgjithësi, BE-ja e ka dëshmuar veten jo vetëm si një konstrukt intelektual, por edhe si një bashkëpunim i rregullt politik. Ne kemi përjetuar, jetuar dhe mbijetuar. Dhe tani befas mendoni se gjithçka po shkon keq. Shumë gjëra nuk shkojnë keq.

E konsideroni një sukses atë që ka arritur BE?

Juncker: Duke pasur parasysh historinë e tmerrshme evropiane dhe largimin e Britanisë për shembull, unë e konsideroj këtë si një sukses kontinental që admirohet edhe në pjesën tjetër të botës. Kështu që nuk jam skeptik, por jam i kujdesshëm. Thjesht duhet të fillojmë ta duam njëri-tjetrin pak më shumë në Evropë. Nëse tregojmë mjaftueshëm interes për popujt e tjerë në Evropë, mund t'i tregojmë botës gjithashtu një fytyrë më miqësore./Zëri.ai/

Poll

MOS HUMB