Bota

Paralajmërimi i NATO-s: Po na pakësohen armët

Dërgimi i armatimeve të shumta në Ukrainë, ka bërë që NATO të shqetësohet për mungesë të municioneve

D.XH
Paralajmërimi i NATO-s: Po na pakësohen armët
Admirali Rob Bauer

SHBA - Zyrtari më i lartë ushtarak i NATO-s, admiral Rob Bauer, ka paralajmëruar se rezervat evropiane të municionit po mbarojnë,  pasi Perëndimi vazhdon të dërgojë sasi të mëdha ndihme ushtarake në Ukrainë për të luftuar forcat pushtuese ruse.

Bauer, i cili kryeson Komitetin Ushtarak të NATO-s, tha se Evropa duhet të rrisë prodhimin, ndërsa lufta hyn në muajin e saj të 20-të.

"Ne tani i japim Ukrainës sisteme armësh dhe municione, por magazinat tona nuk janë të mbushura plot, madje po mbeten bosh. Ne tani kemi nevojë që industria e armëve të rrisë prodhimin e armatimit, me një ritëm shumë më të lartë", u tha Bauer delegatëve të mërkurën në Forumin e Sigurisë në Varshavë, duke shtuar se udhëheqësit politikë duhet të vepronin më shpejt.

"Ne kemi nevojë për mbështetjen e vazhdueshme sepse nuk janë vetëm paratë, por edhe sinergjia e përbashkët për të përballuar një pushtim si ai rus", tha Bauer.

Forcat ukrainase po përdorin disa mijëra predha artilerie, çdo ditë teksa luftojnë forcat pushtuese ruse. Një pjesë shumë e mirë e armatimit janë furnizime nga aleatët perëndimorë të Kievit. Shtetet anëtare të NATO-s i kanë dhënë gjithashtu Kievit tanke, automjete të blinduara, sisteme të mbrojtjes raketore dhe ajrore dhe një sërë pajisjesh ushtarake.

Bashkimi Evropian, Britania dhe Shtetet e Bashkuara kanë paraparë planet për të rritur prodhimin e armëve. BE-ja në fillim të këtij viti ndau 2.2 miliardë dollarë për dërgimin e deri 1 milion fishekëve shtesë në Ukrainë deri në fillim të vitit 2024 dhe 550 milionë dollarë shtesë.

'Njëkohësisht rimbushja e rezervave dhe furnizimi i Ukrainës do të kërkojë sinjale më të qarta nga liderët politikë perëndimorë”, tha analistja Simona Soare e Universitetit Lancaster të Britanisë, një ish-këshilltare e mbrojtjes e BE-së.

Pentagoni paralajmëron udhëheqësit amerikanë

Në një letër drejtuar udhëheqësve të Kongresit këtë javë, Pentagoni paralajmëroi se po mbarojnë paratë për të zëvendësuar armët që SHBA-të i kanë dërguar Ukrainës.

Sipas Associated Press, drejtuesi i Pentagonit, Michael McCord, u tha udhëheqësve të Dhomës dhe Senatit që të vijojnë të dhurojnë fonde për Ukrainën. Shtetet e Bashkuara kanë dhënë rreth 46.6 miliardë dollarë ndihmë ushtarake për Kievin që nga pushtimi i Rusisë në shkurt 2022.

Kongresi i SHBA miratoi një projekt-ligj, që nuk përfshinte ndonjë ndihmë të re për Ukrainën. Presidenti Joe Biden është zotuar të vazhdojë mbështetjen amerikane për Kievin. Ndërkohë, BE-ja ka dhënë pothuajse 27 miliardë dollarë, dhe Britania rreth 7 miliardë dollarë ndihmë ushtarake, sipas Institutit të Kielit për Ekonominë Botërore. Por, prodhimi i armëve të reja kërkon kohë.

Duhen mesatarisht dy deri në katër vite për të ngritur një linjë të re prodhimi për pajisjet ushtarake që më pas të çohen në Ukrainë. Evropa duhet të aktivizojë zinxhirët e saj të furnizimit për lëndët e para thelbësore të nevojshme për të prodhuar armë moderne./Zëri.ai/

Poll

MOS HUMB