
TIRANË- Familjarët e Jurgen Veshit, të riut që humbi tragjikisht jetën më 21 maj teksa punonte në një gurore në Brataj të Vlorës kërkojnë drejtësi pasi pretendojnë se djali i tyre nuk ka vdekur aksidentalisht, ashtu siç dhe është raportuar. Gjyshja e të riut, shprehet se ka pasur versione të ndryshme për ngjarjen ndërsa kërkojnë nga autoritetet drejtësi.
Po ashtu dhe nëna e të riut ka kërkuar nga autoritetet që të zbardhin ngjarjen. Ajo ka treguar se Jurgeni punonte nga mëngjesi në darkë për të mbajtur familjen. Deklaratat nëna dhe gjyshja i bënë në “News 24”.
Gjyshja: Familja jetonte në Stavër të Lushnjës. Pas 12 vitesh që jetuan atje, vajza ime ka shkuar te jetojë në Brataj të Vlorës. Edhe ne na kishte afër. U rrit djali. Kur djali u bë burrë, ndodhi kjo ngjarje e kobshme. Djali ishte duke punuar në dy vende, që të rregullojë jetën, të mbajë pleqtë, mamin e ka bërë dy herë operim. Ishte i vetmi që punonte në familje. Edhe njerku në gjendje jo të mirë. Unë si gjyshe kërkoj të zbardhet çështja e Jurgen Veshit, se i kemi sytë me gjak. Djali i madh ka qenë te puna dhe ka bërë fotografi, se këta çfarë thonë në mëngjes nuk thonë në darkë. Ne dyshojmë tek ata që na kanë thënë se si ka ndodhur vdekja. Po na luajnë mendtë e kokës dhe po tallen me ne. Dyshojmë për dëshminë që na është dhënë.
Nëna: Djali punonte 7 ditë të javës. Babai e ka braktisur Jurgenin. Te njerëzit e mi janë rritur. Derisa erdha në fshatin Brataj kur jam martuar për herë të dytë këtu në fshatin Brataj. Jetojmë në ambientet e një spitali në kushte tepër të vështira ekonomike dhe dilte në punë që të na ushqente. Jurgeni punonte vetëm dhe na ushqente të gjithëve. E nisa atë ditë si zakonisht në punë djalin. Atë ditë e pashë që u vonua djali. U bëmë merak. Nisej në 6:30 dhe kthehej në 15:30 minuta. Atë ditë mora lajmin se djali nuk u kthye gjallë. Vdiq në gurore në mal. Gjatë ditës nuk flisnim me djalin, sepse ishte në punë dhe nuk donim ta bezdisnim. Ne duam të dimë të vërtetën për vdekjen e djalit tim.
Jurgen Veshi humbi jetën më 21 Maj teksa punonte në gurore, ai u zu poshtë nga një masiv gurësh. Pas ngjarjes Policia e Vlorës ka vënë në pranga drejtuesin teknik të kompanisë, Erald Breganaku. Ai akuzohet për mos zbatim të rregullave të mbrojtjes në punë./ZËRI