
KOSOVË- Ambasada Gjermane në Prishtinë kërkon arrestimin e Milan Radoiçiç, në 1-vjetorin e sulmin në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë efektivi i policisë Afrim Bunjaku. Në reagimin e saj, ambasada gjermane deklaron se mosndëshkimi i Radoiçiç për ngjarjen, krijon precedentë të rrezikshëm për sigurinë e rajonit të Ballkanit.
‘Një vit më parë, gjatë sulmit të tmerrshëm në Banjskë, polici i Kosovës Afrim Bunjaku humbi jetën. Sakrifica e tij nuk do të harrohet, por fakti mbetet: Milan Radoiçiç, autori i supozuar pas këtij krimi, pavarësisht se ka pranuar përgjegjësinë, është ende i lirë në Serbi.
Dështimi për të mbajtur përgjegjës përgjegjësit, pavarësisht pranimeve të qarta të fajit, minon paqen në rajon dhe dërgon një mesazh të rrezikshëm. Drejtësia duhet të vendoset. Nuk ka më vonesa apo justifikime’, thuhet në reagim.
Gjatë ditës së sotme, kryeministri i Kosovës Albin Kurti ishte i pranishëm në familjen e efektivit Bunjaku, ndërsa tha se askush nuk do ta cënojë më territorin dhe sovranitetin e Kosovës.
Në orët e para të së dielës së 24 Shtatorit të vitit 2023, Policia e Kosovës u sulmua në Banjskë të Zveçanit nga persona të maskuar, të veshur e armatosur rëndë.
Nga ky sulm terrorist, mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
Ndërkaq, vetëm pak ditë më parë, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë për sulmin terrorist të Banjskës.
Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufi në një konferencë për media, i njoftoi se aktakuza është ngritur ndaj 45 të pandehurve të përfshirë në këtë rast.