Bota

Sulmi i 24 shtatorit/ Vuçiç tërheq trupat: Nuk duam luftë! (Reagimet)

Kjo lëvizje vjen shtatë ditë pas sulmit të 24 shtatorit, ditë që u vra polici Afrim Bunjaku.

F.m
Sulmi i 24 shtatorit/ Vuçiç tërheq trupat: Nuk duam
Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç

KOSOVË- Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç ka deklaruar se nuk ka ndërmend të urdhërojë forcat ushtarake të vendit të tij që të futen në Kosovë. Në një deklaratë për Financial Times, Vuçiç tha se ai do të tërheqë forcat e Serbisë në zonë, sepse një përshkallëzim i konfliktit do të ishte kundërproduktiv për aspiratat e Beogradit për në BE.

“Pse kjo do të ishte e dobishme për Beogradin?” ka thënë Vuçiç. “Cila do të ishte ideja? Për të shkatërruar pozicionin tonë që kemi ndërtuar prej një viti? Për ta shkatërruar këtë brenda një dite? Serbia nuk do luftë”.

Kjo lëvizje vjen shtatë ditë pas sulmit të 24 shtatorit, ditë që u vra polici Afrim Bunjaku.

Sulmi në Veri e ka shoqëruar edhe këtë të shtunë me reagime të shumta nga të gjitha palët. Qeveria e Kosovës kërkoi që Serbia të largojë trupat nga kufiri i saj, duke shtuar se ka mbajtur kontakte të vazhdueshme me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian.

“I bëjmë thirrje presidentit Aleksandër Vuçiç dhe institucioneve të Serbisë që menjëherë të tërheqin të gjitha trupat ushtarake nga vija kufitare me Kosovën. Pas dështimit të sulmit të armatosur me formacionet para-ushtarake të udhëhequra nga Milan Radoiçiç, marshimi dhe vendosja e trupave ushtarake serbe përgjatë kufirit me Kosovën është hapi i radhës i institucioneve të Serbisë për të kërcënuar integritetin territorial të vendit tonë dhe gjithashtu prezencën ushtarake ndërkombëtare në Republikën e Kosovës,”- ishte thirrja që bëhej përmes një komunikate të qeverisë së Kosovës.

Ndërsa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se presidenti serb Aleksandër Vuçiç, ka si qëllim krijimin e një 'Republika Srpska' në Kosovë. Në një intervistë “Al Jazeera”, Kurti u shpreh se sulmi i 24 shtatorit ishte për të destabilizuar vendin me synimin për të nisur një luftë.

“Ata donin që policia jonë të hynte në manastirin e Banjskës, në mënyrë që të shpërndanin foto në mbarë botën duke treguar plumba në muret e manastirit. Kjo nuk ndodhi sepse policia jonë është shumë e fortë dhe shumë profesionale dhe sulmuesit u arratisën. Ata donin vetëm që fillimi i një lufte të ishte të dielën, më 24 shtator. Dihet mirë si filloi lufta në Sarajevë . Më 1 mars 1992, gjatë një dasme, u plagos një prift ortodoks serb. Ne ishim shumë të kujdesshëm që diçka e ngjashme të mos ndodhte. Por unë mendoj se ata donin të përsërisnin skenarët e fillimit të luftës në ish-republikat e Jugosllavisë,”- tha ai.

Tensionet mes dy vendeve janë të lartë që nga 24 shtatori kur policia e Kosovës u përlesh me një grup serbësh të armatosur që sulmoi policinë në fshatin Banjskë në veri të vendit, duke vrarë një oficer policie. Tre sulmues u vranë po ashtu gjatë përleshjeve.

Ngjarja që u cilësua nga më të rëndat që kur Kosova shpalli pavarësinë e saj në vitin 2008 nxiti shqetësime të reja ndërkombëtare për qëndrueshmërinë në Kosovë.

Shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian Josep Borrell, tha po ashtu se grumbullimi i forcave ushtarake serbe në afërsi të kufirit me Kosovën është shumë shqetësues dhe duhet të ndalet menjëherë.

Nga ana tjetër, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani sot komandantin e forcave paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja Angelo Michele Ristuçia dhe shefin e Misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit (EULEX-it), Giovanni Pietro Barbano për të diskutuar situatën e sigurisë.

Mediat vendase shkruajnë se sipas raportimeve të bëra nga Policia e Kosovës, gjendja është e qetë në Veri, ndërsa hetimet për 24 shtatorin, vazhdojnë ende. Pas një kontrolli, sot janë gjetur sërish armë, municione dhe pajisje të ndryshme ushtarake në pjesën malore të një prej zonave në Veri.

Vetë Serbia vijon t’i mohojë akuzat e Kosovës se Beogradi qëndron prapa sulmit të cilin autoritetet në Prishtinë, Bashkimi Evropian dhe diplomatët perëndimorë e cilësuan si terrorist.

Çfarë ndodhi në veri të Kosovës më 24 shtator?

Në orët e para të mëngjesit të së dielës, Kosova u trondit nga një sulm në drejtim të punonjësve të policisë, ku u vra polici Afrim Bunjaku, dhe mbetën të lënduar dy kolegë të tij. Pas ngjarjes mobilizimi i punonjësve të policisë ishte i menjëhershëm, ndërkohë që agresorët gjetën strehim brenda në Manastirin e Banjskës, ku u mbajtën të rrethuar nga policia, e 3 prej tyre u ekzekutuan fizikisht, ndërsa 6 të tjerëve iu vunë prangat. Autorësinë për sulmin e mori Milan Radoiçiç, i cili gjithashtu hoqi dorë nga posti si nënkryetar i Listës Serbe./Zëri.ai

Poll

MOS HUMB