Bota

VËZHGIMI- Çfarë tha Rama, pse po sulmohet KM, për "KFOR" në Veri të Kosovës

Me reagime të njëpasnjëshme, Lëvizja Vetëvendosje, Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti kërkuan vetëm diçka nga Rama, që të heshtë!

F.m
VËZHGIMI- Çfarë tha Rama, pse po sulmohet KM, për
Edi Rama, Albin Kurti dhe Vjosa Osmani

KOSOVË- Kryeministri Edi Rama e gjeti ‘zgjidhjen’ e parandalimit të një konflikti të madh në kufirin mes Kosovës e Serbisë duke i bërë thirrje KFOR-it që të ndërhyjë e të marrë nën kontroll Veriun që është kthyer tashmë në një ‘pikë të nxehtë’. Në një postim në rrjetet sociale, kreu i qeverisë shqiptare shkruante dy ditë më parë se të njëjtin propozim e kishte bërë edhe më parë, në Samitin e NATO-s. Sipas Ramës, vonimi i këtij hapi mund të sjellë viktima të tjera dhe konflikt të armatosur mes dy vendeve. 

Referuar Albin Kurtit, kryeministri Rama shtoi se lidershipi në Kosovë sigurisht që ka pasur të meta në procesin e normalizimit të marrëdhënieve dhe dialogut, e për këtë arsye duhet një angazhim nga Bashkimi Evropian.

“Këtë e meriton dhe e pret që ta dëgjojë i gjithë ky rajon që boll ka vuajtur në historinë e vetë nga degradimet të hajvallëkut. Kjo histori mund të përshkallëzohet në përplasje të armatosura prej vitesh. E kam paralajmëruar prej kohësh mundësinë e pështjellimit të këtij skenari tragjik dhe fatkeq në veriun e Kosovës, qoftë në këtë tryezë apo në tryezat e tjera më të larta. Jo se jam më i mençur se të tjerët, apo se lexoj të ardhmen, por thjesht se nuk jam i zënë me hallet e gjithë botës, siç janë të mëdhenjtë e kësaj bote apo s’jam i mbyllur në qerthuj e së shkuarës, udhëheqësit e Kosovës dhe të Serbisë. Në këtë sekondë sikur i shoh në faqet e mia të rrjeteve sociale plumbat e trimave. Jam mësuar me klubin mediatik në Shqipëri dhe ata në Kosovë si vëlla i Vuçiçit. Ata në Kosovë më bëjnë top. Sinqerisht i kuptoj pa asnjë problem. Ndërkohë që të tjerët, këta që bëjnë biznes politik dhe mediatik në Tiranë me thonjtë e krizave në Veriut të Kosovës, i neverisë. Të jeni të bindur që asgjë nga këto dhe askush nga këta, as nuk ma ndryshojnë vizionin. Gjithçka mund të përfundoj në gjakderdhje dhe në luftë. Po tani? Po më tej çfarë duhet pritur? Ç’duhet shmangur, dhe ç’duhet bërë e mundur. Shpresoj që shpërthimet në Veri të Kosovës mos ta kthejnë atë në një Donbas. Dialogu mes dy vendeve duhej të ngrihej në një konferencë ndërrajonale. Sot mimialisht formati i Brukselit, ku venë e vinë dy burra nga këtej, hynë e dalin dy burra atje, s’ka më asgjë për t’i ofruar paqes në këtë situatë të re. Bashkë me stokun e të gjitha marrëveshjeve, të pazbatuara, mund të sjellë largqoftë një stok viktimash të një konflikti të armatosur. KFOR duhet të marrë nën kontroll veriun e Kosovës. Është propozim që e kam bërë më parë dhe në samitin e NATO-s,”- tha Rama.

Por, Kosova nuk mendon kështu….

Me reagime të njëpasnjëshme, Lëvizja Vetëvendosje, Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti kërkuan vetëm diçka nga Rama, që të heshtë!

Me një gjuhë mjaft diplomatike, vetë kryeministri Kurti pranoi shtimin e bashkëpunimit me KFOR, por jo marrjen e kontrollit, duke iu bashkuara reagimeve të shumë politkanëve e aktivitëve të Vetëvendosjes.

“Ne kemi nevojë për patrulla të përbashkëta që përfshijnë policinë tonë dhe KFOR-in përgjatë kufirit Kosovë-Serbi. Për sa u përket çështjeve të tjera, protokolli është përcaktuar tashmë. Kudo në Kosovë, policia jonë është reaguese e parë, e pasuar nga EULEX-i dhe më pas KFOR-i. Unë nuk besoj se ky protokoll duhet të ndryshohet,”- tha Kurti.

Anëtarja e Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Dejona Mihali, shkruante se ndërhyrjen e KFOR-it në veri e do vetëm Serbia, ndaj qeveria e Kosovës nuk ka kërkuar asnjëherë ndërhyrjen e trupave ndëkrombëtar në veri të vendit dhe as nuk do ta bëjë këtë.

“Mbase heshtja e Kryeministrit të Shqipërisë për disa ditë do të ishte ndihma më e madhe, në këto momente, dhënë Kosovës. Po ashtu, Kosova asnjëherë nuk ka kërkuar që KFOR të marrë kontrollin në veri. E as nuk do ta bëjë. Këtë e di dhe çdo fëmijë i vogël. Këtë e kërkon vetëm Serbia. Qeveria e Kosovës ka kërkuar vitin e fundit kryesisht shtimin e trupave të NATO-s në Kosovë referuar kërcënimit dhe akteve të vazhdueshme të agresionit nga ushtria e Serbisë në kufi me Kosovën,”- shkruan Mihali.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu reagoi gjithashtu duke u shprehur se reagimi i Ramës, në fakt ka qenë frika më e madhe e tij dikur. Madje, ajo shton se kryeministri shqiptar po risjell një kërkesë të vjetër të presidentit serb, Aleksandër Vuçiç.

““KFOR duhet të marrë nën kontroll veriun e Kosovës.” - kështu paska deklaruar sot Edi Rama, Kryeministri i Shqipërisë. Tre muaj më parë, saktësisht me 19 qershor, këtë qëndrim të tanishëm KM Rama e thoshte me brengë, si diçka që ka rrezik se mund të ngjajë, e jo si diç që duhet të bëhet! Në fakt, kjo kërkesë e re e tij nga një brengë e vjetër që besonim se e kishte është veçse kërkesë e stërvjetruar e Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç,”- shkruan Haxhiu.

Sekretari Organizativ i Lëvizjes Vetëvendosje, Alim Rama akuzoi kryeministrin shqiptar se është koordinuar me të parin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

“Koordinim se jo mahi!!!” –shkruan Alim Rama.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendojse, Dimal Basha ka kërkuar që Rama të mos ndërhyjë në çështjet e brendshme të një shteti të pavarur si Kosova.

“Vet KFOR-i është bind që Policia jonë ka kapacitete me mbajt rendin dhe sigurinë nê veri, del Edi Rama thotë, KFOR-i le ta merr përsipër sigurinë atje! Nuk meriton koment, veç s’pe kuptoj pse ka nevojë me fol se çka duhet me ba Kosova në vend t’vetin?”- shkruan Basha.

Por, a u tërhoq kryeministri shqiptar, pavarësisht debateve?

Aspak! Madje, Rama e mbron tezën e tij duke përfshirë Presidenten Vjosa Osmani, për të cilën thotë se edhe ajo e ka kërkuar një gjë të tillë. Kritikat e Vetëvendosjes, kreu i qeverisë shqiptare i konsideron ‘fryrje të tollumbacit të konspiracionit të vëllaut të Vuqiqit’ që sipas tij, i bën të humbasin fokusin në sfidën e jashtëzakonshme që kanë me Serbinë.

Reagimi i plotë:

Në kuadrin e mbështetjes së Shqipërisë për garantimin e sigurisë në veriun e Kosovës dhe marrjen e kontrollit nga KFOR-i, në këtë fazë kur rreziku i përshkallëzimit të konfliktit është alarmant, kemi komunikuar në nivelet më të larta të aleancës euro-atlantike e kemi gjetur një gatishmëri maksimale. Nga ana tjetër u kemi ripërcjellë aleatëve arsyet e moslinjëzimit tonë me deklaratën e fundit të BE-së, duke vazhduar të kërkojmë qëndrimin e tyre publik, lidhur me grupin e armatosur kriminal që vrau efektivin e policisë së Kosovës dhe lidhur me zinë kombëtare në Beograd për pjesëtarët e asgjësuar të atij grupi.

Atyre në Prishtinë që në vend se të fokusohen 100% tek sfida e jashtëzakonshme që kanë, gjejnë kohë edhe për të fryrë me fejsbuk, përmes profilesh politike apo profilesh fallco, tullumbacin e konspiracionit të “vëllaut të Vuqiqit”, duke ngatërruar për arsyet e mosarsyes së tyre kërkesën time të shpjeguar publikisht dje për KFOR-in, me paralajmërimin tim të para disa muajve për “Republikën e KFOR-it”, u kujtoj sot se:

1. KFOR-i është NATO dhe jo një forcë pushtuese për llogari të Serbisë, e as një fuqi ndarëse e territorit të Republikës së Kosovës, po përkundraze një garanci shumë e madhe në çdo rast kërcënimi!

2. Unë e thashë qartë dje se këtë kërkesë e ka bërë edhe presidentja Osmani dhe e shpjegova më tej se kjo që kërkoj sot nuk ka lidhje me atë çka kam shprehur disa muaj më parë, si frikë se mund të ndodhë nëse situata degradon, në mungesë të rezultateve të dialogut.

Sepse, siç e shpjegova edhe dje, “nuk jemi akoma aty” dhe që të mos shkohet nesër deri aty, duhet që KFOR-i të marrë në kontroll veriun një orë e më parë.

3. E di çdokush të vërtetën e thjeshtë fare se në çdo rast dhe për çfarëdo nevoje të re operacionale në territorin e Kosovës, KFOR-i i harmonizon veprimet e veta me autoritetet shtetërore të Kosovës e me forcat e sigurisë së Republikës së Kosovës, prandaj është sa e dhimbshme, aq edhe qesharake, që edhe në këtë situatë kaq serioze për sigurinë në veriun e Kosovës, politikanë me profile publike apo me profile fallco në Prishtinë merren me të tilla manipulime të ulëta emocionesh të qytetarëve të tyre, duke deformuar qëllimisht qëndrimet e mia.

Keqardhje për ta, se për trimat e biznesit politik e mediatik të Tiranës, që janë gati t’ia venë zjarrin vetë Kosovës, bashkë me Shqipërinë për përmbysjen imagjinare të “regjimit” tim, nuk kam asnjë sekondë për të humbur.

Një reagim për këtë deklaratë të Ramës e ka bërë edhe presidenca e Kosovës. Në deklaratë thuhet se Vjosa Osmani e ka thënë në çdo takim që ka pasur me aleatët e Kosovës, se mandati i KFOR-it është vetëm si reagues i tretë në mbështetje të Policisë së Kosovës dhe se nuk bëhet fjalë për marrje kompetencash.

“Policia e Kosovës ka mandat të plotë në të gjithë territorin e Kosovës, ndërsa me NATO-n, ka bashkëveprim dhe koordinim të ngushtë, siç e dëshmon edhe reagimi e operacioni policor gjatë sulmit terrorist në Banjskë më 24 shtator 2023. Pra, nuk bëhet fjalë për marrjen e kompetencave sovrane të institucioneve të sigurisë së Kosovës nga KFOR-i, por për mbështetjen e institucioneve të Kosovës në ndalimin e agresionit nga Serbia,”- thuhet në reagim.

Megjithatë, konsultime mes Ramës e qeverisë së Kosovës nuk kishte pasur. Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla e ftuar në “Top Story” një natë më parë tha se Rama, para se të dilte të jepte rekomandime që i drejtohen botës, duhej të këshillohej me politikanë e miq që ka në Kosovë, gjë që nuk ka ndodhur.

“Kosova ka dëshmuar ditën e dielë që është përgjegjëse të mbrojë sovranitetin e saj në çdo cep. Kryeministri shqiptar apo kushdo tjetër në Shqipëri para se të japë rekomandime që i drejtohen botës, duhej të këshillohej me politikanë e miq, që të nxirrte konkluzione. Gjë që nuk ka ndodhur, nuk kemi pasur kontakt lidhur me këtë,”- tha ajo.

Poll

MOS HUMB