
HAGË- Ekipit mbrojtës të ish-presidentit Hashim Thaçi i akuzuar për krime lufte i është bashkuar edhe avkatja, Nina Tavakoli. Lajmi është njoftuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.
“Në bazë të Rregullës 26(1) të Rregullores,1 Sekretari njofton Trupin Gjykues të miratimit të znj. Nina Tavakoli si bashkëavokate për z. Hashim Thaçi dhe, në përputhje me rregullën 26(1) të Rregullores dhe nenin 18(6) të Direktivës për avokatin, 2 e informon Trupin Gjykues për pushimin nga puna të z. Albert Moskoëitz si bashkëavokat i z. Thaçi”, thuhet në njoftim.
Në njoftim theksohet se më 4 mars të këtij viti, avokati Luka Misetic, e ka informuar sekretarin se do të dëshironte të ndihmohej nga Tavakoli si bashkëavokate.
“Tavakoli është pranuar në listën e avokatëve në përputhje me nenin 7(3) dhe 18(1) të Direktivës për avokatin3”, thuhet në njoftim.
Kush është Luka Misetiç?
Ndërkaq më 20 shkurt, Luka Misetiç, është emëruar avokat i Thaçit, pas dorëheqjes së Gregory Kehoe dhe ekipit të tij për shkak të mos financimit nga ministria e Drejtësisë. Më 30 janar, Ministria e Drejtësisë, përmes një komunikate për shtyp të martën, njoftoi se është përgjegjëse vetëm për pagesën ndaj avokatit kroat Luka Mishetiç dhe jo ndaj avokatëve tjerë të angazhuar në mënyrë private nga ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) që po mbahen në paraburgim.
Gregory Kehoe dhe Joe Reeder, avokatët e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, të cilët u tërhoqën nga ekipi i mbrojtjes për shkak të mosrealizimit të pagasave, nuk janë paguar ndonëse ata dhe kompania “Greenberg Legal Associates” nuk kanë pasur asnjëherë marrëveshje me Qeverinë e Kosovës.
Ministria e Drejtësisë është përgjegjëse për të paguar një kompani të avokatisë për secilin nga të akuzuarit në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë të Holandës. Nëse të akuzuarit duan avokatë të tjerë, atëherë ata i angazhojnë privatisht dhe jashtë marrëveshjes ekzistuese./ZËRI