
SHBA- Ish-kandidatja e Partisë Demokratike për presidencën e SHBA-së, Hillary Clinton gjatë një deklarate pë mediat krahasoi kandidatin e republikanëve, Donald Trump, me liderin nazist Adolf Hitler. Clinton ka paralajmëruar rreziqet që do të sjellë Donald Trump, nëse rikthehet në Shtëpinë e Bardhë. Sipas saj një rikthim i Trump do të jetë fundi i SHBA-së.
"Nëse Trump do të kthehej në Shtëpinë e Bardhë, do të ishte fundi i vendit tonë siç e njohim ne. Hitleri u zgjodh siç duhet. Papritur dikush me ato prirje, prirje diktatoriale, autoritare, do të thoshte ‘në rregull do ta bëjmë këtë, do t’i dërgojmë këta njerëz në burg. Trump po na tregon se çfarë ka ndërmend të bëjë,"- u shpreh Clinton.
Komentet e Clinton erdhën disa ditë pas një raporti të Washington Post që detajonte se si Trump po diskuton se si të përdorë departamentin e drejtësisë për të hetuar rivalët politikë dhe ish-aleatët që kanë qenë kritikë ndaj tij nëse ai kthehet në Shtëpinë e Bardhë. Clinton nënvizoji pas raportit se, Trump po tregon se çfarë ka ndërmend të bëjë. Ai po diskuton gjithashtu thirrjen e Aktit të Kryengritjes në ditën e tij të parë në detyrë, i cili do t’i lejonte atij të përdorte ushtrinë amerikane brenda vendit për t’i dhënë fund protestave dhe kujdo që e kundërshton, diçka për të cilën u diskutua nga udhëheqësit ushtarakë gjatë mandatit të tij presidencial.