
GAZA – Ushtria izraelite tashmë ka hyrë në Gaza, në përpjekje për të shkatërruar Hamasin, taktikë që është parë me dyshime nga organizata të shumta ndërkombëtare.
Mediat ndërkombëtare raportojnë se Ministria e Shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi ka thënë se 11,078 njerëz janë vrarë në Gaza, që nga fillimi i luftës dhe më shumë se 27,000 të tjerë janë plagosur.
Dëshmitarët okularë i kanë thënë BBC-së se forcat izraelite janë afër spitaleve kyçe të Gazës - Al-Shifa, Al-Quds dhe Spitali Indonezian - dhe ka pasur raportime për shpërthime brenda ose afër ndërtesave.
Izraeli ka konfirmuar se ushtria e tij po vepron pranë Al-Shifas, por nuk ka komentuar incidentin e fundit.
Tanket izraelite janë pozicionuar jashtë Spitalit Pediatrik Al-Rantisi në qytetin e Gazës. Dëshmitarët thanë se trupat izraelite kanë urdhëruar këdo që nuk ishte pjesë e stafit mjekësor ose pacient, të largohej nga zona.
Sipas SHBA-së, pauzat ushtarake katër-orëshe në zonat e Gazës veriore do të fillojnë të zbatohen çdo ditë për të lejuar civilët të largohen. Nuk është e qartë se kur do zbatohet kjo direktivë.
Larg Gazës, në Bregun Perëndimor, dhjetëra njerëz morën pjesë në funeralet e 11 palestinezëve të vrarë në një sulm të raportuar izraelit, në një kamp refugjatësh në Jenin.
Gjithçka po ndodh, pasi Izraeli filloi një ofensivë hakmarrëse në Gaza si përgjigje ndaj sulmeve vdekjeprurëse të Hamasit të 7 tetorit, të cilat vranë të paktën 1400 njerëz, ndërsa më shumë se 240 të tjerë u morën peng.
Hamasi sulmoi Izraelin, ndërsa ushtria izraelite ka hyrë tashmë në Gaza. Më tepër se 12500 njerëz kanë vdekur, nga sulmet e të dyja palëve./Zëri.ai/