
TURQI- "Izraeli kundërshton me force fjalët e ashpra të presidentit turk për organizatën terroriste Hamas," kështu është shprehur zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme izraelite Lior Hayat pasi presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan deklaroi se Hamasi nuk është një grup terrorist.
"Hamasi është një organizatë e neveritshme terroriste më e keqe se ISIS që vret brutalisht dhe qëllimisht foshnjat, fëmijët, gratë dhe të moshuarit, mban peng civilë dhe përdor njerëzit e vet si mburoja njerëzore," theksoi Hayat në një postim në Twitter.
“Përpjekja e presidentit turk për të mbrojtur organizatën terroriste dhe fjalët e tij të motivuara politikisht nuk do të ndryshojnë tmerrin që ka parë e gjithë bota dhe as faktin e padiskutueshëm. Me fjalë të tjera, Hamas = ISIS ”, shton ai.
Deklaratat e Erdoganit
Presidenti i Turqisë njoftoi se po anulon të gjitha planet e tij për të vizituar Izraelin dhe e quajti Hamasin "një grup çlirimtarësh që mbrojnë tokën e tyre dhe jo një organizatë terroriste".
Duke reaguar ndaj sulmeve të Izraelit në Gaza, presidenti turk tha: “I gjithë Perëndimi i është bashkuar Izraelit dhe e sheh Hamasin si një organizatë terroriste. Izraeli, Perëndimi mund t'ju detyrohet shumë, por Turqia nuk ju ka borxh asgjë. Izrael, nuk mund të shkosh askund me këtë mentalitet”.
Në të njëjtën kohë, ai nuk mungoi të përmendë se Turqia është e gatshme të jetë një vend garantues për Palestinën “si me prezencë politike ashtu edhe ushtarake. Në një botë plot me të vdekur të gjallë, ne si vend dhe komb do të vazhdojmë të themi të vërtetën dhe të vazhdojmë të përdorim të gjitha mjetet politike, diplomatike dhe nëse është e nevojshme edhe ushtarake. Megjithatë, ne nuk do të drejtohemi në lëvizje jostrategjike që nuk do të përfitojnë vendin tonë dhe popullin palestinez”.
Në fjalimin e tij para grupit parlamentar të partisë së tij, Erdogan vazhdoi të fliste ashpër kundër Izraelit:
“Së pari ne e shikuam çështjen palestineze nga një këndvështrim njerëzor. Ne mbrojtëm jetën e njeriut. Që nga 7 tetori, ne kemi bërë të gjitha përpjekjet për të parandaluar përshkallëzimin e krizës. Ne dërguam 8 avionë të mbushur me ndihma humanitare për të plotësuar nevojat e banorëve të Gazës. Ne dërguam 25 nga stafi ynë në Egjipt për të trajtuar të plagosurit. Ne deklaruam se nuk justifikojmë veprimet dhe sulmet që synojnë civilët. Ne nuk kemi asnjë problem me shtetin e Izraelit, por asnjëherë nuk kemi miratuar që të trajtohemi si një organizatë në vend të një shteti. Izraeli po kryen një nga sulmet më të dhunshme në histori kundër popullit të shtypur të Gazës. Gjysma e të vdekurve janë fëmijë, gjysma tjetër janë nënat e tyre dhe pleqtë e familjes. Vetëm kjo mjafton për të treguar se ka pasur një mizori. Nuk mund të gjesh një ushtri tjetër që u vë flakën spitaleve, objekteve të kultit dhe tregjeve dhe vazhdon këtë akt çnjerëzor”.