Bota

Cilat janë ndodhitë e fundit rreth luftës në Gaza?

Një sërë zhvillimesh kanë ndodhur së fundmi në enklavë. Ministria e Shëndetësisë në Gaza tha se në 24 orët e fundit, 756 palestinezë vdiqën nga sulmet izraelite. Mes viktimave, 344 janë fëmijë.

D.XH
Cilat janë ndodhitë e fundit rreth luftës në Gaza?
Gaza

GAZA – Një sërë zhvillimesh kanë ndodhur në 24 orët e fundit, në lidhje me luftën ndërmjet Izraelit dhe Hamasit. Fokusi i mediave të huaja është përqendruar në Gaza.

Ngjarjet e fundit të ndodhura përfshijnë mosmarrëveshjen mes OKB-së dhe Izraelit, rritje të numrit të viktimave në enklavë, sulmet ajrore që vijojnë ta bombardojnë Gazën etj.

Mosmarrëveshja OKB-Izrael: Shefi i OKB-së Antonio Guterres mbajti një konferencë shtypi, ku tha se Izraeli e ka keqkuptuar atë, në lidhje me situatën e luftës. Izraeli thotë se do të refuzojë vizat për zyrtarët kryesorë të OKB-së, ndërsa ka kërkuar sërish që Gueterres të japë dorëheqjen.

Situata në Gaza: Ministria e Shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi në Gaza tha se numri i të vdekurve në enklavë tani është më shumë se 6500, që nga 7 tetori. Në 24 orët e fundit, raportohet se 756 palestinezë, përfshirë 344 fëmijë, u vranë në sulmet izraelite.

Sulmet ajrore: Ushtria izraelite tha se nisi sulme të gjera në Rripin e Gazës, duke shënjestruar e shkatërruar boshtet e tunelit të Hamasit, selitë ushtarake dhe depot e municioneve.

Ndihmat: Një aeroplan i Mbretërisë së Bashkuar që transportonte 21 tonë ndihma për Gazën, ka mbërritur në Egjipt.

Franca tha se do të dërgojë një anije të marinës me ndihma për spitalet e Gazës. OKB-ja paralajmëroi se karburanti i saj në Rripin e Gazës do të mbarojë sonte, duke detyruar mbylljen e spitaleve dhe strehimoreve. Më shumë se një e treta e spitaleve tashmë janë mbyllur.

Komentet e Erdogan: Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan e ka përshkruar Hamasin si "një grup çlirimtar" që bën betejë për të mbrojtur tokën e tij. Izraeli tha se Erdogan po përpiqej të "mbronte organizatën terroriste".

Hamasi sulmoi Izraelin, ndërsa përgjigja ishte e menjëhershme. Më tepër se 7900 njerëz kanë vdekur, nga sulmet e të dyja palëve. /Zëri.ai/

Poll

MOS HUMB