
SHBA - Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Gueterres tha sot se është i tronditur nga keqinterpretimet e deklaratës së tij në Këshillin e Sigurimit.
Gueterres u shpreh se deklaratat e tij janë keqinterpretuar. Ai pranoi se ka folur për vuajtjet e popullit palestinez, por ka shtuar se për asnjë moment, nuk ka justifikuar veprimet monstruoze të Hamasit.
Çfarë tha kreu i OKB, Antonio Gueterres, të martën:
“Është e rëndësishme të pranohet gjithashtu se sulmet nga Hamasi nuk erdhën nga hiçi. Populli palestinez i është nënshtruar pushtimit mbytës për 56 vjet. Ata e kanë parë tokën e tyre të gllabëruar vazhdimisht nga vendbanimet dhe të rrënuar nga dhuna; ekonomia e tyre u godit rëndë; njerëzit e tyre u zhvendosën dhe shtëpitë u shkatërruan.
Por ankesat e popullit palestinez nuk mund të justifikojnë sulmet e tmerrshme të Hamasit. Dhe këto sulme të tmerrshme nuk mund të justifikojnë ndëshkimin kolektiv të popullit palestinez. Shkëlqesi, edhe lufta ka rregulla”, tha Gueterres një ditë më parë.
Guterres përsëriti sot, 25 tetor, se ai kishte dënuar pa mëdyshje aktet e tmerrshme dhe të paprecedenta të Hamasit më 7 tetor. Sqarimi i Gueterres vjen, në kohën që Izraeli ka ndaluar vizat për zyrtarët e Kombeve të Bashkuara, pas deklaratave të djeshme në OKB.
Ambasadori i Izraelit në Kombet e Bashkuara, Gilad Erdan, ka reaguar me zemërim edhe ndaj deklaratave të sotme të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, duke i kërkuar edhe një herë të japë dorëheqjen. Erdgan tha se Gueterres akuzoi Izraelin se ishte fajtor, e prandaj Hamasi kreu sulmin. Sipas tij, Gueterres duhet të japë dorëheqje sa më parë si Sekretar i Përgjithshëm i OKB-së.
Hamasi sulmoi Izraelin, ndërsa përgjigja ishte e menjëhershme. Më tepër se 7200 njerëz kanë vdekur, nga sulmet e të dyja palëve./Zëri.ai/