
ITALI- Andrea Giambruno, ish-bashkëshorti i kryeministres italiane Georgia Meloni, është larguar nga puna që bënte prej vitesh si prezantues i një emisoni në Mediaset. Lajmi është bërë me dije nga mediat e huaja, të cilat shkruajnë se kjo vjen pas komenteve të tij seksiste me një vajzë, që zbuluan dhe lidhjen e tij jashtëmartësore, që çoi dhe në fundin e marteses me Melonin.
Striscia La Notizia, The Neëws Strip, javën e kaluar transmetoi një regjistrim të zbuluar të Giambrunos duke folur me koleget femra për një aferë që kishte, dhe dukej se propozoi një grua për seks në grup.
Mediaset tha se Giambrunos i vjen keq për shqetësimin e shkaktuar nga sjellja e tij, duke shtuar se ai kishte pranuar të linte rolin e tij në ekran në Diario del giorno (Ditari i ditës) në kanalin Mediaset Rete4.
Deklarata tregonte se nuk do të kishte asnjë procedim disiplinor ndaj ish-prezantuesit. Roli prezantues i Gambrunos është zëvendësuar për momentin nga gazetarja Manuela Boselli.
Mediat italiane shkruajnë se pasojat mbi deklaratat e zbuluara të Giambrunos po kontribuojnë në tensionet brenda qeverisë Meloni. Forza Italia, partia e themeluar nga Berlusconi, është një nga tre partitë në koalicionin e krahut të djathtë të Melonit dhe djali i madh i ish-kryeministrit, Pier Silvio Berlusconi, është kreu i Mediaset.
Si familja ashtu edhe Forza Italia mohojnë çdo lidhje me rrjedhjen e komenteve, të cilat kanë vënë në siklet Georgia Meloni, e cila mori detyrën në tetor të vitit të kaluar.
“Familja Berlusconi u befasua dhe u erdhi keq për atë që ndodhi pas raportimit të transmetuar në Mediaset”, tha zëvendëskryeministri Antonio Tajani, i cili zëvendësoi Silvio Berlusconin si lider partie pas vdekjes së tij qershorin e kaluar.
Meloni tha javën e kaluar se ajo dhe Giambruno, ishin ndarë pas një lidhjeje që zgjati pothuajse 10 vjet. Çifti u njohën në vitin 2015 dhe kanë një vajzë 7-vjeçare, Ginevra.
Kryeministrja italiane, e cila është lidere e partisë së ekstremit të djathtë Vëllezërit e Italisë, njihet për besimin e saj të fortë në vlerat tradicionale të familjes katolike dhe ka thënë në të kaluarën se një fëmijë duhet të ketë një nënë dhe baba./Zëri.ai