
GAZA – Një nënë izraelite, e quajtur Haldas Calderon, përshkruan terrorin që përjetoi kur militantët e Hamasit hynë në lagjen e saj Nir Oz dhe rrëmbyen dy fëmijët e saj, një djalë e një vajzë.
Ajo tha se militantët shkonin shtëpi më shtëpi, duke therur fëmijë, gra dhe burra, e duke marrë pengje. Dy fëmijët e Hadas, së bashku me babain e tyre, u rrëmbyen, si dhe nëna dhe mbesa e saj. Hadas ishte vetëm në shtëpi atë ditë.
Ajo hyri në vendstrehim dhe fillimisht i dërgoi një mesazh ish-bashkëshortit të saj, Ofir, duke i kërkuar që të ketë kujdes për fëmijët. Pas disa minutash, militantët arritën në shtëpinë e saj dhe i vunë flakën. "Unë nuk di arabisht, por ata bërtisnin fjalë për besimin fetar", thotë Hadas.
Duke luftuar për jetën e saj, duke bllokuar derën e strehimores, Hadas vazhdoi t'i dërgonte mesazhe grupit të familjes. Në një moment, Erez shkroi: “Jemi fshehur në shkurre”. Por, situata e rëndë vazhdonte e nuk mund të bëhej asgjë. Hadas qëndroi në strehimore për tetë orë, derisa ushtria izraelite vendosi situatën në kontroll.
"Nuk kishte energji elektrike, nuk kishte dritë. Bateria e telefonit ishte bosh. Nuk kishte ujë dhe ushqim", kujton 56-vjeçarja izraelite. Pasi u shpëtua nga ushtarët, ajo kuptoi se dy fëmijët e saj më të mëdhenj, një vajzë 21-vjeçare dhe një djalë 19-vjeçar, të cilët jetonin vetëm, ishin të sigurt.
Të zhdukur janë Erez, Sahar, Ofir si dhe nëna e saj 80 vjeçe dhe mbesa me autizëm, 12 vjeçe. Ajo tha se gjithçka u kthye në një "ferr të gjallë". "Nuk pata kohë të qaja nënën time", u shpreh gruaja izraelite.
Vajza e saj e madhe gjeti një video më pak se 20 sekonda në rrjetet sociale që duket se tregon Erez, i cili u kap nga krahët nga militantët, dhe u dërgua për në Gaza. Hadas thotë se ajo nuk mund të shikonte fëmijën në atë situatë të rëndë. Disa ditë më vonë, oficerët ushtarakë e informuan atë se nëna dhe mbesa e saj ishin vrarë në Gaza.
"Nuk pata kohë për të qarë nënën time. Nuk arrita të qaja as mbesën time të dashur", tha Hadas. Tani të zhvendosur në Tel Aviv, Hadas dhe anëtarë të tjerë të familjes përpiqen të zbulojnë vendndodhjen e të dashurve të tyre.
Ata krijuan një rrjet komunikimi virtual, ku mbledhin të gjithë informacionin dhe marrin mesazhe të vazhdueshme mbështetjeje. Videot e terrorizmit të regjistruara nga militantët dhe të shpërndara në rrjetet sociale, u kanë ofruar ekspertëve edhe disa prova, për të analizuar të dhënat.
Hadas e di se më shumë se 80 të afërm ose fqinjë në komunitetin e saj Nir Oz janë vrarë ose zhdukur. Ajo beson se fëmijët e saj janë gjallë. “Shpresoj që të jenë bashkë. Shpresoj t'i japin forcë njëri-tjetrit. Shpresoj dhe e di që do të kthehen shpejt. Shumë shpejt”, tha ajo.
Për Erezin thotë se i pëlqen të ngasë biçikletën, ndërsa Saharit i pëlqen të vizatojë, të vishet dhe të grimohet. "Më ktheni fëmijët e mi, dua t'i përqafoj, t'i puth,", është lutja e saj drejtuar Hamasit.
Hadas, e cila punon si mjeke, është gjithashtu e tmerruar nga planet e qeverisë izraelite për të filluar një pushtim të Rripit të Gazës, pasi të afërmit e saj që po mbahen peng, mund të vdesin. Ajo shpjegon se familja e saj është normale, nuk merret me politikë, është pasionuar pas natyrës e kafshëve.
Hamasi sulmoi Izraelin, ndërsa përgjigja ishte e menjëhershme. Më tepër se 7900 njerëz kanë vdekur, nga sulmet e të dyja palëve./Zëri.ai/