
GJERMANI- Punëdhënësve gjermanëu mungojnë qindra mijëra punëtorë: në TI si dhe në infermieri, në zeje, teknologji, logjistikë dhe shumë sektorë të tjerë. "Ligji për zhvillimin e mëtejshëm të imigracionit të kualifikuar” i miratuar në verë synon të ulë menjëherë pengesat për imigracionin në Gjermani të punëtorëve të kualifikuar nga të ashtuquajturat vende të treta, pra nga vendet jo anëtare të BE-së.
Ndryshimet e para do të zbatohen nga data 18 nëntor 2023
Karta blu e BE-së
Specialistët me diplomë universitare, ose nivel kualifikimi të ngjashëm, që vijnë nga vendet e treta, pra jashtë BE-së, mund të imigrojnë në Gjermani me Kartën Blu të BE-së - pa u kontrolluar më parë, nëse ka aspirantë gjermanë ose qytetarë të BE-së për vendin e punës dhe pa dëshmi të aftësive gjuhësore.
Kufijtë e pagave për të shmangur abuzimin me specialistët që vijnë nga jashtë do të ulen në 40,000 euro në vit për profesionet ku ka më shumë mungesa dhe 44 000 euro për të gjitha profesionet e tjera (që nga viti 2023).
Lista e profesioneve me mungesa (më parë: matematikë, shkenca kompjuterike, shkenca natyrore, inxhinieri dhe mjekësi) është zgjeruar dhe tani përfshin, ndër të tjera, edhe arsimin dhe personelin infermieror.
Për industrinë e TI-së, punëtorët e kualifikuar pa diplomë universitare mund të marrin gjithashtu një kartë blu të BE-së, nëse mund të vërtetojnë se kanë përvojë profesionale të krahasueshme prej të paktën tre vjetësh.
E drejta e qëndrimit, më shumë fleksibilitet
Kush plotëson të gjitha kushtet si punonjës i kualifikuar me formim profesional ose akademik ka të drejtë të marrë leje qëndrimi. Deri më tani, kjo u lihej ta vendosnin misionet diplomatike dhe autoritetet e imigracionit.
Përveç kësaj, hiqet kufizimi për të punuar në fushën profesionale që ke mësuar ose studiuar. Një njeri që ka mbaruar për mekanik, për shembull, mund të punojë edhe në logjistikë. Përjashtim bëjnë profesionet e rregulluara, për shembull në fushën e mjekësisë, drejtësisë ose mësimdhënies.
Bëhet më i lehtë edhe miratimi nga Agjencia Federale e Punësimit për shoferët profesionistë. Leja e punës jepet pa kontrolluar nëse ka qytetarë të BE-së që e kërkojnë këtë vend dhe pa provim gjuhe.
Çfarë do të hyjë në fuqi më 1 mars 2024?
Emigrim me eksperience pune
Njohja e kualifikimeve profesionale në Gjermani, e cila më parë ka qenë shpesh një pengesë burokratike, nuk do të kërkohet më për specialistët me përvojë.
Kush ka një kualifikim profesional të njohur nga shteti në vendin e origjinës dhe ka së paku dy vjet përvojë profesionale në të, mund të emigrojë në Gjermani si punëtor. Nga kjo përjashtohen profesionet e rregulluara. Specialistët e TI-së nuk kanë nevojë për diplomë.
Partneriteti i njohjes së kualifikimit
Kush ka nevojë për një kualifikim shtesë në Gjermani për të arritur barazvflefshmërinë e kualifikimit do të mund të qëndrojë në Gjermani deri në tre vjet në të ardhmen. Aplikantët lejohen të punojnë deri në 20 orë në javë, ndërsa janë duke bërë shkollën për barazimin e kualifikimit.