
BRITANI E MADHE – Kryeministri Rishi Sunak është zotuar se do ta çojë deri në fund planin e qeverisë për të dërguar azilkërkuesit në Ruanda.
Kryeministri britanik foli me ton të ashpër, pas vendimit të Gjykatës së Lartë të mërkurën, e cili shpalli se politika përmes së cilit emigrantët e paligjshëm, të mund të dërgohen në Ruanda, është e paligjshme.
Udhëheqësi i laburistëve Sir Keir Starmer i ka kërkuar Sunak të mos vijojë më përpjekjet e tij, pas vendimit final të Gjykatës së Lartë.
Por Sunak është zotuar se do të vazhdojë, duke u thënë gazetarëve këtë mëngjes se durimi i tij ishte sosur dhe se njerëzit thjesht duan që problemi i refugjatëve të parregullt të zgjidhet.
"Ne mund t'i kalojmë ligjet në parlament me fuqitë dhe mjetet që kemi në duar. Duhet të ndalojmë varkat e paligjshme", tha ai.
Sunak foli për emigrantët e paligjshëm, vetëm disa ditë pasi ish-sekretarja e Brendshme Suella Braverman u shkarkua, sepse kishte përdorur fjalor jo të përshtatshëm për emigrantët. Politika për dërgim të emigrantëve të paligjshëm në Ruanda do të bënte që kushdo që mbërrin në MB me mjete të paautorizuara, si prsh një varkë e vogël, të deportohej në vendin afrikan për të kërkuar azil atje dhe jo në Britani.
Kryeministri tha gjithashtu se do të nënshkruajë një traktat të ri me Ruandën, që fluturimet e para për në vendin afrikan të nisin në pranverën e 2024.
Por në vendimin historik të mërkurën, Gjykata e Lartë u shpreh se skema ishte e paligjshme, me arsyetimin se ata që dërgoheshin në Ruandë do të ishin rrezik real për t'u kthyer në vendin e tyre të origjinës dhe atje mund të keqtrajtohen, diçka që do të shkelte ligjet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut./Zëri.ai/