
UKRAINË- Pavarësisht kërkesës së Volodymyr Zelenskyy-t, gjenerali i lartë ushtarak i Ukrainës Valerii Zaluzhnyi, ka refuzuar të japë dorëheqjen, të paktën kështu përflitet prej ditësh në media dhe në opinionin publik ukrainas. Tensionet mes të dyve kanë zier për javë të tëra në mes të dështimit të kundërofensive të verës të Ukrainës, por sugjerimi se Zaluzhnyi mund të shkarkohej nuk u prit mirë nga shumë njerëz.
Oleksii Goncharenko, një deputet i opozitës ukrainase dhe aleat i gjeneralit, i tha Guardian se ai e kuptonte se "dje presidenti i kërkoi Zaluzhnyit të jepte dorëheqjen, por ai nuk pranoi ta bënte këtë".
“Personalisht mendoj se kjo është një ide e keqe. Nuk ka çështje thelbësore mes tyre, por zyra e Zelenskyy-t ka qenë e shqetësuar se Zaluzhnyi ka bërë deklarata politike dhe jo ushtarake”, tha Goncharenko.
Pritjet që Zaluzhnyi mund të shkakrohej u shfaqën në mediat sociale të hënën pasdite. Disa orë më vonë, ministria e mbrojtjes u përgjigj shkurt:
“Të nderuar gazetarë, ne u përgjigjemi menjëherë të gjithëve. Jo, kjo nuk është e vërtetë”, duke supozuar se të gjithë ata që lexonin e kuptonin se për çfarë flitej.
Nuk është e qartë se çështja do të përfundojë me kaq. Goncharenko tha se Zelenskyy mund të shkarkojë Zaluzhnyin dhe ta zëvendësojë atë, një proces që kërkon mbështetjen e ministrit të mbrojtjes, pas vlerësimit të reagimit publik dhe ndërkombëtar.
Zëvendësuesi më i mundshëm do të ishte Kyrylo Budanov, kreu i inteligjencës ushtarake të Ukrainës, përgjegjës për operacionet e fshehta kundër Moskës. Budanov u propozua në fillim të këtij viti si një zëvendësues i Oleksii Reznikov si ministër i mbrojtjes, në një tjetër sagë të zgjatur shkarkimi që filloi me periudha të ngjashme spekulimesh./ZËRI