
FRANCË- Franca bëhet vendi i parë në botë që përfshin në mënyrë eksplicite të drejtën e abortit në kushtetutën e saj. Votimi me 780 vota pro dhe 72 kundër u prit me ovacione në parlamentin në Versajë kur u shpall rezultati.
Për këtë vendim historik ka reaguar dhe presidenti francez Emmanuel Macron, i cili e ka quajtur këtë zhvillim një krenari për Francën, duke e komentuar si një mesazh universal, shkruan BBC.
“Të festojmë së bashku hyrjen e një lirie të re të garantuar në Kushtetutë me ceremoninë e parë të vulosjes në historinë tonë të hapur për publikun. Shihemi këtë 8 Mars, Ditën Ndërkombëtare të Gruas", shton ai.
Fierté française, message universel.
— Emmanuel Macron (@EmmanuelMacron) March 4, 2024
Célébrons ensemble l’entrée d’une nouvelle liberté garantie dans la Constitution par la première cérémonie de scellement de notre histoire ouverte au public.
Rendez-vous ce 8 mars, journée internationale des droits des femmes. pic.twitter.com/dcwniEPei4
E drejta për abort është sanksionuar në ligj që nga viti 1975, por sondazhet tregojnë se rreth 85% e publikut mbështeti ndryshimin e kushtetutës për të mbrojtur në mënyrë eksplicite të drejtën për t'i dhënë fund shtatzënisë. Ai bëhet amendamenti i 25-të i dokumentit themelues të Francës moderne dhe i pari që nga viti 2008.
Para votimit, kryeministri Gabriel Attal i tha parlamentit se e drejta e abortit mbeti në rrezik dhe në mëshirën e vendimmarrësve.
“Ne po u dërgojmë një mesazh të gjitha grave: trupi juaj ju përket juve dhe askush nuk mund të vendosë për ju”, shtoi ai.
Macron është zotuar vitin e kaluar se do ta përfshijë të drejtën e abortit – hap ligjor në Francë prej vitit 1974 – në Kushtetutë, pasi Gjykata Supreme e Shteteve të Bashkuara e pati përmbysur më 2022 ligjin që e mundëson këtë procedurë. Aktualisht është në dorën e secilit shtet në SHBA që të vendosë për ndalim apo lejim të procedurës. /ZËRI