
FRANCË- Ligjvënësit francezë po diskutojnë një projekt-ligj që do të ndalojë diskriminimin mbi strukturën, gjatësinë, ngjyrën ose stilin e flokëve të dikujt. Masa novatore synon të shërbejë si një mesazh mbështetjeje për zezakët dhe të tjerët që janë përballur me armiqësi në vendin e punës dhe më gjerë për shkak të flokëve të tyre, shkruajnë mediat e huaja.
"Ka ardhur koha. Sot, ne po shkojmë edhe më tej drejt heqjes së këtyre barrierave të diskriminimit," ngriti zërin Estelle Vallois, një konsulente 43-vjeçare që pret flokët e saj të shkurtër dhe të mbështjellë në një sallon në Paris, ku parukierët janë trajnuar për të trajtuar të gjitha llojet e flokëve, një gjë e rrallë në Francë.
Projektligji i bën jehonë legjislacionit të ngjashëm në më shumë se 20 shtete të SHBA dhe u propozua nga Olivier Serva, një ligjvënës francez nga ishulli francez i Karaibeve, Guadeloupe, i cili thotë se nëse miratohet do ta bënte Francën vendin e parë në botë që njeh diskriminimin në bazë të flokëve në nivel kombëtar.
Ky projektligj synon gjithashtu të ndryshojë masat ekzistuese kundër diskriminimit në kodin e punës dhe kodin penal për të nxjerrë jashtë ligjit në mënyrë eksplicite diskriminimin ndaj njerëzve me flokë kaçurrela dhe mbështjellë ose modele flokësh të tjera të perceptuara si joprofesionale, si dhe ndaj njerëzve tullac./ZËRI