Bota

KE miratoi rekomandimin për Kosovën, Daçiç: Shkel integritetin tonë

Po ashtu kryediplomati serb tha se kjo shkel parimet mbi të cilat mbështetet vetë Këshilli i Evropës.

E.K
KE miratoi rekomandimin për Kosovën, Daçiç: Shkel
Ivica Daçiç

SERBI- Beogradi ka reaguar ashpër këtë të enjte pas pranimit të rekomandimit nga Komiteti i Çështjeve Politike të Këshillit të Evropës që Kosova të pranohet në Këshillin e Evropës. Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç u shpreh se kjo paraqet shkelje të drejtpërdrejtë të interesave të Serbisë, sovranitetit dhe integritetit e saj.

Po ashtu kryediplomati serb tha se kjo shkel parimet mbi të cilat mbështetet vetë Këshilli i Evropës. Ai tha se kjo temë do të diskutohet në muajin prill në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, e cila i bën rekomandim Komitetit të Ministrave.

"Gjithçka shkon drejt marrjes së këtij vendimi. Për ta marrë atë, duhet një shumicë prej dy të tretash, dhe ata e kanë atë dhe pritet që kjo të ndodhë në maj", tha ai.

Një ditë më parë zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Kreshnik Ahmeti, njoftoi se Kosova e ka kaluar me sukses votimin në Komitetin e Asamblesë Parlamentare në KiE, që është edhe hapi i parë për procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. Sipas Ahmetit, ky opinion rekomandon anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës pa asnjë parakusht shtesë. 

Pse Kosova aplikon tani?

Më 16 mars të këtij viti, Federata Ruse është përjashtuar nga ky Këshill, për shkak të nisjes së luftës së paprovokuar në Ukrainë. Në mungesë të Rusisë, dy të tretat e shteteve anëtare të kësaj organizate e njohin pavarësinë e Kosovës.  Duke qenë se vendimet merren me shumicë, mundësia e pranimit të Kosovës është reale, në rast se vlerësohet se Kosova i plotëson kushtet. Kosova ka shpallur pavarësinë në vitin 2008, por nuk ka arritur ende të anëtarësohet në disa organizata të rëndësishme ndërkombëtare. Ajo nuk është ende as anëtare e Bashkimit Evropian, as e Organizatës Botërore të Tregtisë, as e Organizatës Ndërkombëtare të Policisë Kriminale e të tjera.

Kosova ka aplikuar të enjten, 12 maj, për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Donika Gërvalla, e ka dorëzuar aplikacionin fizikisht. Aplikacionin e shqyrton Komiteti i Ministrave dhe pas shqyrtimit të gjendjes në Kosovë, fjalën përfundimtare e jep Asambleja Parlamentare e cila përbëhet nga përfaqësuesit kombëtarë të shteteve anëtare. Pranimi bëhet me votat e 2/3 të shumicës. Çdo anëtar i Këshillit të Evropës duhet të pranojë parimet e sundimit të ligjit dhe zbatimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut për të gjithë personat brenda juridiksionit të atij shteti./ZËRI

Poll

MOS HUMB