
FRANCË- Shteti francez do të ngrejë një padi kundër një adoleshenteje muslimane, e cila dyshohet se akuzoi në mënyrë të rreme drejtoreshën e shkollës se e kishte goditur gjatë një debati të ashpër, sepse ajo këmbënguli të mbante shaminë e saj. Sipas BBC, drejtoresha, emri i të cilës nuk është bërë i ditur, kërkoi nga tre studente në fund të shkurtit të kaluar që të hiqnin shamitë e tyre, të cilat janë të ndaluara sipas ligjit francez.
Dy nga vajzat respektuan udhëzimin, por e treta ka reaguar ashpër, duke shkaktuar një përplasje të ashpër verbale. Kjo vajzë më vonë ka pohuar se mësuesja e ka goditur, por gjatë hetimeve të kryera nga autoritetet nuk u gjet asnjë provë për një gjë të tillë. Në ditët pas sherrit, drejtoresha mori kërcënime me vdekje në rrjetet sociale dhe njoftoi dorëheqjen e tij.
Kërcënimi i dhunës nga ekstremistët myslimanë po merret jashtëzakonisht seriozisht në shkollat franceze pas sulmeve vdekjeprurëse ndaj dy mësuesve. Kujtohet se Samuel Paty u vra në një periferi të Parisit në vitin 2020 dhe Dominique Bernard humbi jetën në shkollën ku jepte mësim në Arras pesë muaj më pare.
Në komente, kryeministri francez Gabriel Attal njoftoi se shteti do ta ndiqte vajzën për pretendimet e saj të rreme, ndërsa politikanët si nga e djathta ashtu edhe nga e majta shprehën zemërim që karriera e një mësuesi të respektuar iu dha fund para kohe nga një fushatë urrejtjeje në internet./ZËRI