
SHBA- Përgjatë dekadës së fundit kanë qenë me qindra tragjeditë që kanë përfshirë emigrantët në përpjekje për të arritur brigjet e Europës. Agjencia e Emigracionit në Kombet e Bashkuara (IOM), përllogarit në raportin e fundit se që nga viti 2014 janë më shumë se 27 mijë njerëz të vdekur ose të zhdukur në ujërat pranë kontinentit të vjetër, raportojnë mediat e huaja.
Në total në të gjithë botën, të paktën 63 285 njerëz kanë vdekur në përpjekje për të arritur në një vend tjetër si emigrantë. Agjencia e Emigracionit në Kombet e Bashkuara (IOM), thotë se viti me numrin më të madh të viktimave e mban viti 2023 me 8 500 të tilla. Rreth 60% e vdekjeve të dokumentuara vijnë nga mbytja në ujë.
Shumica e vdekjeve në Mesdheun Qendror u dokumentuan në brigjet e Libisë. Por IOM ka regjistruar një "rritje të nisjeve dhe, përkatësisht, mbytjet e anijeve" në brigjet e Tunizisë. Të paktën 729 njerëz vdiqën në brigjet e Tunizisë në vitin 2023, krahasuar me 462 vitin e kaluar. Numri mendohet të jetë akoma më i madh për shkak të vështirësisë në marrjen dhe verifikimin e informacionit.
Në rrugën e Atlantikut nga bregu perëndimor i Afrikës në Ishujt Kanarie të Spanjës, anije të tëra thuhet se janë zhdukur në ato që njihen si "mbytjet e padukshme të anijeve". Në mënyrë të ngjashme, shumë vdekje në shkretëtirën e Saharasë besohet se nuk raportohen. Edhe kur regjistrohen vdekjet, më shumë se dy të tretat e viktimave mbeten të paidentifikuara. Në më shumë se gjysmën e të gjitha rasteve, IOM nuk ka arritur të përcaktojë as gjininë as moshën e viktimave./ZËRI