Deklaratat për Kosovën janë rikthyer në qendër të fjalimeve të zëvendëskryeministrit serb Ivica Daçiç. Gjatë një tubimi elektoral në Beograd ministri i Brendshëm i Serbisë ka këmbëngulur në pretendimin se flamuri serb do të valëvitet sërish në Prizren, duke sfiduar publikisht kritikat e ish-ministrit të Jashtëm gjerman Michael Roth.
Daçiç nuk u tërhoq nga deklarata e tij, por e mbrojti atë duke iu referuar luftës dhe qëndrimit të Serbisë ndaj Kosovës. Reagimi erdhi pasi Roth kishte vënë në pikëpyetje se si mund të bënte një deklaratë të tillë një zyrtar serb.
“Si guxon Daçiç të thotë diçka të tillë? Epo, unë guxoj! Ne jemi ndryshe nga të tjerët. Guxojmë, sepse kështu mendojmë dhe sepse Kosovën e kemi mbrojtur me luftë”, tha Daçiç.
Për të përforcuar argumentet e tij, politikani serb përmendi edhe faktin se ka lindur në Prizren. Ai krahasoi numrin e serbëve që jetojnë aktualisht në qytet me atë të tri dekadave më parë, duke e përdorur këtë si pjesë të argumentit të tij.
“E sidomos unë guxoj ta them këtë, sepse kam lindur në Prizren, ku sot jetojnë më shumë se 20 serbë. Tridhjetë vjet më parë, atje jetonin më shumë se 10.000 prej tyre”, u shpreh ai.
Daçiç iu referua gjithashtu historisë së Prizrenit duke pretenduar se qyteti kishte qenë kryeqyteti i parë serb rreth tetë shekuj më parë. Deklaratat e tij u shoqëruan me një tjetër referencë ndaj së kaluarës së Serbisë në raport me Kosovën.
“Nuk ka pse të ndodhë nesër, por do të ndodhë ashtu siç kemi bërë edhe më parë. Ne pritëm katër shekuj e gjysmë dhe e shenjtëruam Kosovën me në Kumanovë”, tha Daçiç, sipas deklaratës së transmetuar nga tubimi./ZËRI