
TIRANË- Një javë nga nisja e luftës në Rripin e Gazës, është koha dhe për të bërë një bilanc informacionesh që kanë qarkulluar, ku edhe këtë herë propaganda ka qenë prezente edhe në raportimet e mediave ndërkombëtare, dukshëm të rreshtuara në pjesën më të madhe në anën e Izraelit. Një prej lajmeve më tronditëse që ka qarkulluar është ai se në një fshat në Izrael, Hamasi kishte kryer një masakër mbi popullsinë civile që kishte prerë edhe koka fëmijësh dhe foshnjash! Lajmi bëri menjëherë xhiron e mediave botërore, aq sa pati një reagim dhe nga presidenti amerikan Joe Biden, që dënonte sulmin mbi foshnjat, ndërkohë që më vonë Shtëpia e Bardhë do t’i tërhiqte deklaratat e tij, për shkak se ato nuk ishin të konfirmuara.
Por si nisi lajmi mbi foshnjat me kokat e prera? Zëri.ai ju sjell një përmbledhje të informacioneve që duhet të dini mbi këtë çështje, që ka detyruar edhe gazetaren e CNN Sara Sidner që të kërkojë ndjesë.
Historia e foshnjave të prera e ka origjinën nga një raport në faqen e Izraelit i24News nga gazetarja Nicole Zedeck, nga intervista e saj me ushtarin rezervë izraelit David Ben Zion. Ky i fundit njihet si një udhëheqës radikal i djtahtë izraelit që më herët ka bërë thirrje për të zhdukur fshatin palestinez Harawa, të cilin kolonët e sulmuan dhe dogjën disa herë. Po ashtu ai dyshohet si autor i një sulmi të përgjakshëm në xhami.
Mediat në mbarë botën morën shpejt raportin e i24News dhe zëdhënësi i kryeministrit izraelit tha se foshnjat dhe të vegjlit "me kokat e tyre të prera" ishin gjetur në vend. CNN, ndër të tjera, raportoi prerje kokash dhe "ekzekutime të stilit të ISIS". Kur gazetarët pyetën një zëdhënës të ushtrisë izraelite për historinë se si kishte ndodhur masakra, përgjigja ishte: "Ne nuk mund ta konfirmojmë, por ju mund të supozoni se ka ndodhur".
Megjithatë, brenda disa ditësh, ministria e jashtme dhe forcat e armatosura izraelite dhe disa korrespondentë thanë se nuk kishte prova për prerjet e kokës dhe Shtëpia e Bardhë tha se Biden po citonte raportet e shtypit që kishte lexuar.
Nuk kishte asnjë provë që masakra të kishte ndodhur, dhe ajo ishte pjellë e një ekstremisti izraelit. E megjithatë dëmi është bërë, pasi maskra mbi foshnjat në fjalë, vijon të jetë prezentë në të gjitha faqet onlinë të mediave botërore.
Gazetarja kërkoi falje
Gazetarja e CNN, Sara Sidner, kërkoi falje pasi mbrojti pretendimet e Izraelit se Hamasi u preu kokën foshnjave gjatë sulmit të fundjavës së kaluar në një transmetim të drejtpërdrejtë, duke pranuar se raportet nuk u konfirmuan.
"Zyra e kryeministrit izraelit tha se kishte konfirmuar se Hamas i preu kokat foshnjave dhe fëmijëve ndërsa ne ishim drejtpërdrejt në transmetim. Qeveria izraelite tani thotë sot se NUK MUND të konfirmojë se foshnjave iu prenë koka. Më duhej të isha më e kujdesshme me fjalët e mia dhe për këtë kërkoi ndjesë”, shkroi Sidner të enjten në X.
Pas kërkimit të faljes, Sidner u përball me kritika në internet, ndërkohë që sqaroi në një koment: “Unë dua të argumentoj se jemi mashtruar, detyra ime është të raportoj ato që thonë krerët e qeverive. Kjo nuk do të thotë se është e vërtetë, por është një lajm që ata e thanë dhe duhej ta tërhiqnin. Në të njëjtin raport theksova se Hamasi i mohoi aktet”.
CNN raportoi veçmas të enjten se qeveria izraelite nuk e ka konfirmuar pretendimin se luftëtarët e Hamasit prenë kokat e foshnjave gjatë sulmit të shtunën, duke cituar një zyrtar izraelit.
Megjithë propagandën që vijon dhe duket të jetë e pashmangshe në kohë lufte, situata humanitare në Gaza është rënduar ndjeshëm, ku më shumë se 2 mijë njerëz kanë humbur jetën, spitalet janë tejmbushur dhe i gjithë vendi është në fund të rezervës me ujë të pijshëm.
Pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme nga OKB, Izraeli nuk ka pranuar që të heqë rrethimin nga Gaza, dhe nuk lejon që atje të mbërrijnë ndihmat humanitare. Së shpejti pritet të nisë një tjetër sulm ushtarak nga toka, ndërkohë që më shumë se 1 milionë njerëzve iu është bërë thirrje që të largohen nga shtëpitë e tyre. Thirrje të cilat është e vështirë të përhapen, pasi në vend ka mungesë të energjisë elektrike, dhe mbulim problematik me rrjet interneti dhe valësh celulare./Zëri.ai