
TURQI- Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan pati një takim me biznesmenin Elon Musk në Nju Jork dje, të dielën, teksa i bëri dhe kërkesë speciale. Gjatë takimit, presidenti turk i kërkoi CEO të Tesla që të ndërtojë fabrikën e 7 të Teslas në Turqi.
Gjatë takimit të tyre në të ashtuquajturën "Shtëpia Turke", e cila strehon delegacionin e përhershëm të Turqisë në OKB dhe konsulatën turke në Nju Jork, Erdogan informoi themeluesin e Tesla dhe SpaceX mbi arritjet teknologjike të vendit të tij, vizionin për dixhitalizimin dhe strategjinë kombëtare për inteligjencën artificiale.
Presidenti turk përmendi gjithashtu se mund të ketë edhe mundësi bashkëpunimi me SpaceX në programin hapësinor të Turqisë, ndaj edhe ftoi Elon Musk në festivalin e hapësirës ajrore dhe teknologjisë "Teknofest" që do të mbahet në fund të muajit në Izmir./Zëri.ai