
ITALI- Shembja e një godine banimi ka shkaktuar një tragjedi në zonën e Napolit në Itali. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në lagjen Scampia, ku si pasojë e shembjes së një ndërtese, 2 persona humbën jetën, dhe 13 të tjerë mbetën të plagosur, duke përfshirë shtatë fëmijë. Dy prej të plagosurve janë në gjendje kritike pëe jetën. Shembja e ndodhur në katin e tretë ka përfshirë edhe galeritë e katit të dytë dhe të parë. Zjarrfikësit pasi kanë gërmuar rrënojat kanë përfunduar evakuimin e kateve të sipërme.
Policia ka nisur hetimet për këtë rast. Asnjë hipotezë nuk përjashtohet, por më e besueshme është ajo e një dështimi strukturor, por për të qenë të sigurt do të duhet të kryhen kontrollet nga zjarrfikësit. Menjëherë pas shembjes, e cila ndodhi rreth orës 23:00, shumë njerëz u derdhën në rrugë mes panikut të shembjeve të mëtejshme dhe frikës për personat e që gjendeshin nën rrënoja. Mjete të shumta të emergjencës kanë mbërritur në vendngjarje me disa autoambulanca të cilat i kanë dërguar të plagosurit në spital.
Vela Celeste ishte një nga godinat e fundit të mbetura në këmbë në këtë zonë, pasi godina të tjera, që kanë qenë të amortizuara ishin shembur qëllimisht, për t’iu siguruar një jetesë më dinjitoze banorëve.
Le Vele, e përbërë nga 7 godina gjithsej, u ndërtuan midis viteve 1962 dhe 1975 bazuar në një projekt të arkitektit Franz Di Salvo. Projekti përfshinte gjithashtu qendra takimesh dhe hapësira të përbashkëta, një zonë lojrash për fëmijët dhe ambiente të tjera kolektive. Një “bërthamë socializimi” që nuk u realizua kurrë, duke kontribuar në dështimin e veprës siç u konceptua. Dhe me kalimin e viteve Vele janë bërë gjithnjë e më sinonim i degradimit, krimit dhe tregtisë së drogës. /ZËRI